Peçi: Zell prej sherbëtorësh

27 Gusht 2019, 07:34| Përditesimi: 27 Gusht 2019, 07:39

  • Share

Ata që japin këshilla dhe më pas fshihen, ta harrojnë se koha do ta mbulojë turpin! Historia nuk fsheh asgjë. Nxitimi i tyre për të ngritur fshehtas një memorial, që u kushtohet të rënëve turq “në grushtin e shtetit”, ka revoltuar shumë prej nesh “zevzekëve”, por nuk është se ka çuditur kënd. Ka qenë tipar ynI zelli për t‘ju shërbyer të huajve, inferioriteti mbetet bashkëudhëtar i parisë shqiptare: të ecin e qendrojnë zvarritur para sundimtarëve të tyre.

 Në paqëndrueshmërinë që na shkakton ekonomia dhe mbrojtja e dobët, krerë shtetërorë të përgjunjur, në rrethanat kur Europa është e pa vendosur të na bëjë pjesë të saj, shtiren sikur tjerrin politikë të madhe rajonale e “nën zë”, mes njëri-tjetrit e paraqesin Turqinë si aleatin e madh strategjik. Këtij synimi i shërben edhe memoriali i përkohshëm. “I përkohshëm”, sepse nesër, dikur, në një të ardhme, një tjetër parti do vijë në pushtet në Turqi dhe puthadorja e memorialit nuk do shërbejë; “I përkohshëm”, sepse kërkush nuk e di se sa do pajtohet qytetaria e Tiranës me memorialin; “I përkohshëm”, se dhe pushteti i tashëm një ditë do iki, do largohet, me nder apo turp, ata e kanë në dorë?!

 Se nga i ka lindur kjo dashuri për ne Turqisë, mbetet vërtet një e panjohur?! Para një shekulli, sharja më për zemër që kishin ishte, “Pis arnaut”. Ndryshimin në qendrim ja shohim, se gjithnjë e më dëndur tingëllon në veshët e tyre kushtrimi i madhështisë së të parëve të perandorisë, që na tjetërsoi. O këndonjës i nderuar, a të kujtohet se ishte kjo Turqi, që në perandorinë osmane mësimi i bullgarishtes, rumanishtes, serbishtes e gjithë gjuhëve të tjera perëndimore ishte tërësisht i lirë!? Përjashtimi ishte vetëm gjuha shqipe. Ishte e ndaluar. Nga ana tjetër, në ndihmë të tyre vinte kleri ortodoks grek, që kryente rite të organizuara për mallkimin e gjuhës shqipe. Të tillë, egërsira që na urrenin, ishin deri në orën e tyre të fundit që na patën nën sundim. Dhe sdo ta harrojmë!

Kemi falur, por nuk kemi pse harrojmë! Nëse Shqipëria është sot kjo copa e vogël, e nëpërkëmbur, e kemi prej Turqisë. Ishte ajo që lejoi Rusinë t’i merrte Kurshumlien, Toplicën; që lejoi Bismarkun e Rusinë t’i merrte Plavën e Gucinë, Grykat e Kotorrit, Tivarin e Ulqinin; që lejoi (e kapitulluar) që Kosova të robërohej nga Serbia dhe Greqia të robëronte e më pas të shfarroste popullsinë shqiptare në Çamëri. Ndodhte kjo, kur pas çdo lufte të humbur, Turqia falte tokat e shqiptarëve.

 Shihni ç’bëhet nga këta politikanucët tanë liliputë? Nuk të besohet! jo Amerika, ajo që i dha pavarësinë Kosovës, por Turqia, ajo që e fali tokën tonë, na qenkërka aleatja strategjike! Sjellja në ngritjen e memorialit atë tregon. Ndodh kjo kur Turqia po i largohet gjithnjë e më shumë NATO-s dhe Europës.

 Nën siglën “Ali Baba Qyteza”, Fan Noli shkruante në 1906-tën, se çështja për të dalë nga skllavëria e Turqisë dhe heqja e zgjedhës robëruese, nisi mbarë vetëm kur u bë Lidhja e Prizrenit. Pastaj shton: “...që nisi dhe u mbarua atëhere”. Më tej, “...u nisëm për pavarësi se na thanë të tjerët, “nisuni”. “Gogozhelë kombëtarë” i quan bejlerët, sherbëtorët e devotshëm të Turqisë, që bëheshin pengesë dhe ishin kundër pavarësisë shqiptare. Ishte kjo pari bejlerësh që e dështoi kryengritjen e përgjithshme.

 “Familjet e mëdha”, i ka titulluar ndonjë artikull apo dokumentar, ish feudalët shqiptarë. Po ka njeri që se di, se për të vënë pasuri në toka apo çfarë do tjetër, do t’i shërbeje qenërisht pushtuesit. Sistemi feudal-ushtarak i Perandorisë Osmane, u jepte prijësve toka, në detyrimin e dhënjes së trupave në shërbim të shtetit. Një spahi merrte një timar; një bejlek i jepej beut shqiptar si feud i trashëgueshëm; një feudal që drejtonte sanxhakun duhej të kish gati për sulltanin 5000 kalorës. Nga gjithë aradha e sherbëtorëve vetëm valiu ishte nën vartësi të Portës së Lartë. 500 vjet sistemi përbëhej nga sundimtarë vendas që ishin pronarë tokash e vasalë të pushtuesit, dhe çifçinj që punonin tokën. Vërlacët, Vrionët, Vlorajt, Toptanët, Bushatllinjtë, Këlcyrët, Libohovët, etj., s’janë përpos se produkte të metodave të qeverisjes mesjetaro-ushtarake.                         

Perëndimi, përmes Italisë dhe Venedikut, kish ruajtur një ndikim përcaktues në Shqipëri për orientimin ekonomik e kulturor, deri kur osmanët e vunë nën thundër. Shqipëria dhe shqiptarët nuk mundën të marrin pjesë në lëvizjen e fuqishme shpirtërore të Europës Perëndimore, pavarësisht 52 revoltave e kryengritjeve kundër Turqisë, që nuk pushuan asnjëherë. Korruptimi dhe shpërblimi i zellit të sherbëtorëve ishte rregulli i çdo administrate që synonte influencën. Fatmirësisht historia na i ka lënë të shkruara ca të dhëna për “parinë” e shitur. Ja psh., më tipiku, Esat Toptani: paguhej 6000 lireta në vit nga qeveria e Italisë; 50000 dinarë në muaj nga qeveria e Serbisë; 25000 napoleona nga qeveria e Malit të Zi; 200000 franga në muaj nga Franca.

 Në këto 100 vjetët e fundit krerët shqiptarë i janë nënshtruar idesë për të gjetur garancitë e nevojshme tek një vend i madh që e lidhin interesat dhe do e mbronte. Ismail Qemali shihte Austro-Hungarinë. Pas zhdukjes së saj nga harta politike e fuqive europiane, Italia u bë e parapëlqyera. Francesko Jakomoni, në kujtimet, “Gjysma ime shqiptare”, shkruan se “Asambleja e Lushnjës (21 janar 1920) u thirr me miratimin e autoriteteve italiane...dhe siguroi shpenzimet e udhëtimit” (?!). Te shpërndarja e parave dhe rryshfeteve personaliteteve shqiptare përmes korruptimit, u ngrit platforma për t’i marrë fqinjit pavarësinë. Në ditarin e tij, Çiano e përkufizonte klerin shqiptar dhe nëpunsat e shtetit shqiptar lehtësisht të manipulueshëm po t’u zgjidhje qesen dhe përmend ca emra, pinjollët e të cilëve, pas vitit 1990, erdhën prapë në pushtet.

 Jo dhe aq sistemi komunist, por vetë Enver Hoxha, mes të tjerash, dëmi i mdh që i solli Shqipërisë ishte lënja e saj pa aleatë. Të lësh të vegjlit pa aleatë, pa mbrojtës, në hapësirat e një bote ku lakmia e të fortit mund të ta marrë lirinë për pak ditë, është çmenduri! Të lësh Shqipërinë pa aleat, kur e di mirë se je i rrethuar nga armiq si Greqia e sllavo-serbët, me projekte që u rrinë në sirtare të gatshme të dalin për zbatim, është verbëri! Pikërisht, këtë ja bënë vendit.

 Në “Serengetin” tonë që krijuam, të pompuar me ideollogji, të fryrë nga mburracakria, në zenitin ku ndodheshim miklonim sedrën dhe kultivonim vetëbesimin fallco. Sot jemi anëtarë të NATO-s, organizata e vetme që na jep siguri e mbrojtje. Aspirata jonë është të shkojmë në Europë, por lidhjet, investimet, kulturën, po i trashim me lindjen, me Turqinë.

 Përsëri vasal të turqve, mortja që s’na merr! Nëse vjen puna që integritetin dhe pavarësinë ta shesim, siç po shohim të ndodhë, atëhere: Trump, jo Greonlandën, as Britaninë, por Shqipërinë eja dhe blije për “1 euro”!

Epilog

 Nga koha e fëmijërisë time, kur me tren ose mjete të rastit shkonim në plazh, më kujtohet se “tej plepave” ishte një tabelë ku shkruhej “Blloku”. Ishte kjo në hyrje të zonës rezervat, ku lejohej të hynin,  të pushonin e të bënin plazh Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe anëtarët e tjerë të byrosë politike. Sistemi ra por jo privilegjet, madje as tabela. Rojet e Gardës Republikane ndodhen në të njëjtat poste. Tabela “Blloku” vazhdon të jetë pikërisht atje ku ka qenë dhe do vazhdojë të ngelet si dëshmi se shoqëria do mbesë gjithmonë e diferencuar, e ndarë në “rezervate”, në shtresa, klasa, pasuri dhe privilegje. Sa më të dukshme të jenë dallimet, aq më e ndyrë ka qenë dhe është qeverisja!

Komento

Komente

  • ........: 27/08/2019 15:55

    ky shkrim asht perle e vertete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?