ELBASAN- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar Pediatrinë në Spitalin e Elbasanit, e cila po rehabilitohet me standarde bashkëkohore.
"Ky investim do të rrisë kapacitetet e shërbimit për fëmijët, pasi do të përfshijmë logopedinë, do të përmirësojmë standardet, do të kemi gjithë shërbimet e urgjencës dhe pavioneve sipas specialiteteve. Nga ana tjetër është e rëndësishme me përfundimin e shtrirjes së shërbimit të laboratorit, do të kemi një standard të çertifikuar laboratorik në çdo rajon. Nga pikëpamja e imazherisë, çdo gjë është e plotësuar. Ne e kemi realizuar rezonancën, skanerin, grafia e re që do të vijë, ekot, pra çdo pajisje do të jetë në spital", tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se ne spitalet rajonale ofrohen sot standartet më të mira të shërbimit për nënën dhe fëmijët, falë investimeve të qeverisë shqiptare.
"Është besoj një ndër standardet më të mira, që vjen duke u përmirësuar vjen vit pas viti. Pas Pediatrisë së Durrësit, edhe në Elbasan po përfundon, në Berat, e shumë investime të tjera në kuadër të investimeve për nënën dhe fëmijën po vijojnë, edhe pse në një kohë të vështirë të pandemisë", tha Manastirliu.
Pediatria e Spitalit të Elbasanit përfundon rikonstruksionin dhe pajisjet me buxhetin e Shëndetesise 2022, ndërkohë që vijojnë te finalizohen një sërë Investimesh në sektor si: Përfundimi i fazës së parë të ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT si edhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i Spitalit të Pediatrisë në QSUT (Faza II). Rehabilitimin e Maternitetit dhe Spitalit Rajonal Kukës. Ndërtimi dhe rikonstruksioni i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Buxheti 2022 për shëndetësinë garanton modernizimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor, deri tek spitalet universitare, me synim, rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor për qytetarët.