E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me autore Doreada Mio, ishte edhe doktoreshë Sonila Biba, pediatre dhe specialiste e neonatologjisë.
Ajo foli mbi momentin më të përshtatshëm kur një fëmijë i vogël, pas lindjes, mund të udhëtojë dhe të shkojë me prindërit për pushime.
“Fëmijët, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore, mund të shkojnë në det, por vetëm nëse respektohen disa kushte specifike”, tha ajo në studio.
Sipas saj, një nga aspektet më të rëndësishme është kohëzgjatja e qëndrimit në bregdet, e cila nuk duhet të jetë e gjatë, veçanërisht për foshnjat dhe fëmijët nën moshën njëvjeçare. Po ashtu, theksoi nevojën për masa të shtuara mbrojtëse ndaj diellit, temperaturave të larta dhe ndotjeve që mund të gjenden në ambientet publike të plazhit.
“Çdo fëmijë që shkon në bregdet duhet të jetë i pajisur me krem mbrojtës, rroba pambuku, kapele dhe shumë ujë. Qëndrimi në orët e pikut nuk rekomandohet aspak”, theksoi mjekja.
Ajo shtoi gjithashtu se një nga shqetësimet më të shpeshta që hasen te fëmijët gjatë pushimeve është problemi me tretjen, veçanërisht diarretë, që vijnë nga uji, ushqimet ose mungesa e higjienës.
Për këtë arsye, mjekja rekomandoi që të bëhet një vizitë te pediatri përpara nisjes, për të këshilluar prindërit rreth masave parandaluese dhe për të ndjekur një profilaksi të përshtatshme, në varësi të historisë shëndetësore të fëmijës.
“Pushimet me fëmijët e vegjël kërkojnë përgatitje, organizim dhe mbi të gjitha, kujdes të veçantë për të shmangur komplikacione të panevojshme,” përfundoi ajo.
Lajmi kryesor:
Kardiologu Edjon Hajro: Kontrolloni zemrën në kohë, rastet po shtohen! Ja faktorët që ndikojnë dhe kujdesi gjatë ditëve të nxehta
A.Q/ReportTv.al