Java e parë e muajit gusht i dedikohet cdo vit ushqyerjes me gji për nënat e reja. Për këtë vit tema e javës botërore është “Ushqyerja me gji për një planet të shëndetshëm”. Mjekja pediatre Mirela Dibra tregon për Report Tv se ushqyerja me gji është e pazëvëndësueshme për sa i përket shëndetit të fëmijëve.
“Një fëmijë që fillon të ushqehet me gji herët, në mënyrën e duhur, e vazhdon atë sipas të gjtha rekomandimeve, gëzon një shendet të plotë, të mirë, merr antikorpe nga nëna, që e mbrojnë ndaj sëmundjve të tjera. Gjithashtu formon një profil metabolik shumë të favorshëm, që do ta mbrojë në jetën e mëvonshme ndaj sëmundjeve si obeziteti, diabeti, sëmundjve të tjera metabolike, mund ta mbrojnë në fëmijërinë e hershme ndaj astmës, ndaj autitit të veshit të mesëm. Ushqyerja me gji në thelb shpëton jetën e fëmijëve”, u shpreh pediatrja.
Prej 5 muajsh vendi ynë po përballet me epideminë covid-19, cka ka sjellë shqetësim dhe tek nënat e reja, nëse duhet të ushqejnë apo jo fëmijët me qumësht gjiri, nëse rezultojnë pozitve me koronavirus.
Pediatrja tregon se nënat me Covid-19 mund të ushqejnë foshnjat me gji.
“Nuk ka asnjë provë deri tani që virusi të transmetohet nëpërmjet qumshtit të gjirit, sipas të gjitha studimeve që janë kryer deri më sot. Kështu që rekomandimet janë që nënat të vazhdojnë të ushqejnë fëmijët me qumështin e gjirit. Nëse nëna shfaq simptoma ose shenja klinike, atëhere nëse gjëndja e saj ja lejon që të ushqejë me gji, duhet të vazhdojë ta bëjë këtë duke pasur parasysh larjen e shpesht të duarve, dezifektimi i shpeshtë i sipërfaqeve, larja e gjirit para dhënies me gji të fëmijës, tështitja dhe kollitja në një pecetë që duhet të hidhet”, shpjegoi pediatrja.
Ushqyerja me gji për foshnjat deri 6 muajsh eshte e mjaftueshme për të plotësuar cdo nevojë të foshnjes, me pas duhet të shoqërohet me dhënien e ushqimeve shtesë. Nënat mund të vazhdojnë të ushqejnë foshnjat me gji deri në 2 vjeç apo edhe më tej sipas dëshirës së fëmijës.
Në vendin tonë trendi i nënave të reja është pro ushqyerjes me gji dhe është në përmirësim.