Pekini: SHBA do të paguajë një çmim për bojkotin diplomatik të Lojërave Olimpike

7 Dhjetor 2021, 17:00| Përditesimi: 7 Dhjetor 2021, 17:03

  • Share

Shtetet e Bashkuara do të "paguajnë një çmim" për bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore që mbahen në Pekin, thanë të martën zyrtarët kinezë. Komentet vijnë vetëm disa javë pas bisedimeve që synonin lehtësimin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy palëve.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se zyrtarët e qeverisë amerikane do t’i bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore për shkak të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteteve kineze. Megjithatë sportistët amerikanë do të jenë të lirë të udhëtojnë drejt këtij vendi për të marrë pjesë në gara.

Bojkoti i SHBA-së, i inkurajuar prej muajsh nga disa anëtarë të Kongresit dhe grupe që mbrojnë të drejtat e njeriut, vjen pavarësisht nga një përpjekje për të stabilizuar lidhjet. Dy presidentët zhvilluan muajin e kaluar një takim virtual.

Kina e kundërshton bojkotin dhe zyrtarë të saj thanë se do të marrin masa. Shtetet e Bashkuara do të organizojnë Lojërat Olimpike Verore të vitit 2028 në Los Anxhelos dhe po përgatisin një ofertë për të pritur Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2030 në Salt Lake City.

I pyetur nëse Kina do të shqyrtonte mundësinë e bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike në Shtetet e Bashkuara, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha se bojkoti i Uashingtonit ka "dëmtuar themelin dhe atmosferën" e shkëmbimit sportive.

Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të mbajnë politikën jashtë sportit, duke thënë se bojkoti ishte kundër parimeve olimpike. Mediat dhe studiuesit kinezë e kanë kritikuar vendimin e SHBA-së. Administrata e Presidentit Biden theksoi si arsye për bojkotimin e saj, atë që Uashingtoni e quan, gjenocid kundër myslimanëve pakicë të rajonit perëndimor të Kinës, Xinjiang.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?