Festa e Shën Gjon Pagëzorit, u kthye në një ditë pelegrinazhi dhe promovimi në Orosh të Mirditës, një nga zonat me histori dhe potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ky organizim i ndërmarrë nga disa ish-banorë të zonës, risolli traditën e hershme të festës, duke bërë bashkë vendas, emigrantë dhe shumë vizitorë.
“Oroshi është qendra historike e Mirditës. Oroshi ofron mundësi të shumta për të apasionuarit pas turizmit historik dhe kulturor dhe rekigjoz. Kjo festë është frymëzuar nga festa e Shën Gjonit. Kjo është një lloj tradite jo vetëm për të rikthyer pelegrinazhin por edhe për të zhvilluar turizmin”, tha Julian Vlashi drejtor i trashëgimisë kulturore.
Pelegrinazhi nisi tek Abacia e Oroshit dhe vijoj në sarajet e Gjomarkajve e bjeshkët e Nënshjetit me lartësi mbi 1300 metra nga niveli i detit, ku u mbajt dhe aktiviteti promovues. Kjo festë synohet të kthehet në traditë të përvitshme si një mënyrë për të bashkuar njerëzit dhe promovuar potencialin turistik të zonës.
“Kjo është një ditë bashkimi vlerash e konceptesh”, tha Aleksandër Lala, banor.
“Do t’i sugjeroja institucionve që ta vlerësojnë më shumë bashkëpunimin me kishën. Apeli im im është edhe për ish-banorët që të sjellin fëmijët e tyre për t’i treguar vendin ku kanë lindur gjyshërit e tyre”, tha Dom Gjergj Meta, Ipeshkv i Dioqezës Rrëshen.
Të pranishëm në këtë aktivitet, Kryetari i Bashkisë Mirditë Albert Mëlyshi dhe deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste Admir Kadeli, u shprehen se promovimi i kësaj zonë është mënyra më e mirë për zhvimin e turizmit.
“Jemi të gjithë bashkë këtu për të biseduar me njëri-tjetrin, por edhe për të promovuar zonën. Bashkia në bashkëpunim me qeverinë do të investojë ta kthejmë në një destinacion turistik dhe ti shërbejë të gjithë Mirditës”, tha Albert Mëlyshi kryetar i bashkisë.
“Ne po e promovojmë këtë zonë për turizmin dhe ajo çfarë është më e rëndësishme është të ndalojmë shpopullimin. Duhet të organizojmë më shpesh aktivitete të tilla”, u shpreh ndër të tjera Admir Kadeli.
Kremtimi i festave fetare permes aktiviteteve të tilla synohet të kthehet në traditë në fshatrat e Mirditës, si një mënyrë për të bashkuar njerëzit dhe promovuar këto zona të cilat janë prekur nga shpopullimi masiv gjatë viteve të fundit.
Komente
