Mrekullitë e Shna Ndout/ Pelegrinazhi në kishën e Laçit, mijëra besimtarë mblidhen me shpresë e besim në vendin e shenjtë (VIDEO)

12 Qershor 2022, 19:16| Përditesimi: 13 Qershor 2022, 08:48

  • Share

12 dhe 13 qershori përkon me përfundimin e pelegrinazhit 13 javor në Kishën e Shna Ndout në Laç.

Me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria, por edhe jashtë saj nisën rrugën e pelegrinazhit që prej orëve të para të mëngjesit, për të kaluar natën në këtë vend të shenjtë, në përpjekje për të imituar shenjtin, që sipas tyre ka kaluar vargmalin e Kurbinit.

‘Jam nga Tirana, kisha qejf për të ardhur. Vetë jam i sektit mysliman por e kam qejf të vij, nga të gjitha fetë kam qejf të marrë mirësitë e veta. Do të rri deri në orën 12. Kam besim sepse djali i madh i jemi ka mbaruar shkollën e lartë dhe master. Kur ka qenë i vogël nuk ka pas fol e sa erdhi këtu i erdhi goja. Vij shpesh. Me intereson besimi në zot.’- u shpreh një qytetar.

‘Kam ardhur nga Tiranë, kemi besim tek kisha e Laçit. Kam besim! Lutem për fëmijët t’i kem mirë. Vij shpesh herë vij.’- tha një qytetar

‘Nga Lezha kam ardhur. Vij shpesh kam shumë besim. Lutem për shëndet të fëmijëve për veten dhe gruan.’- u shpreh një tjetër.

‘Vij nga Lezha, do të rri gjithë natën. Më bëhet qejfi pasi ky vend është i shenjtë dhe ka bërë mrekullira. Për shëndet për fëmijë, për botën. Zoti ju dhashtë mbarësi.’- tha një qytetare.

Për garantimin e mbarëvajtjes së ritualit fetar, dy ditor janë angazhuar policia dhe spitali dhe pushteti vendor në Kurbin.

Historia e 13 të martave të shenjta në Kishën e Shna Ndout

Kisha e Laçit, e njohur ndryshe dhe si Kisha e Shna Ndout, prej vitesh njihet si një vend i shenjtë, ku mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria e vizitojnë këtë vend kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin prej 27 Marsit dhe kulminojnë më 13 Qershor. Thuhet se Kisha e Laçit daton që prej vitit 1300 kur u ndërtua për herë të pare nga vëllezërit françeskanë, duke u shkatërruar më pas në 1971 nga regjimi komunist i cili ndaloi besimin tek feja, për t’u ringritur përsëri në 1990, me besimin akoma më të fortë të qytetarëve katolikë.

Pelegrinazhi i 13 të martave bashkon Shqiptarë të cilët i përkasin feve të ndryshme, muslimanë, katolikë, ortodoks, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”. Kisha e Shna Ndout ndodhet e veçuar në majë te malit, ku pelegrinëve u duhet të përshkojnë kilometra të tëra dhe të ngjisin qindra shkallë për të arritur në majë. Arsyeja që pelegrinazhi fokusohet në 13 të marta lidhet pikërisht me vdekjen e shenjtorit, në nder të të cilit është ngritur dhe Kisha – Shna Ndout.

Video nga pelegrinazhi në kishën e Laçit

 

Ora 21:59
Festa e Shna Ndout, mijëra besimtarë e kalojnë natën në kishën e Laçit (VIDEO)

 

Festa e Shna Ndout ka mbledhur mijëra pelegrinj në Kishën me të njëjtin emër në Laç. Të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe besimeve të ndryshme fetare, qytetaret e kalojnë natën pranë këtij vendi të shenjtë i cili ka bërë mrekulli të shumta. 12 dhe 13 qershori përkon me perfundimin e pelegrinazhit 13 javor në kishën e Shna Ndout.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?