Kronikë

Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, sot dita kulminante! Trafik i rënduar, mijëra besimtarë ngjiten në Teqenë e Kulmakut! Baba Mondi: Situata në Kabul të na bëjë të reflektojmë

22 Gusht 2021, 07:19| Përditesimi: 22 Gusht 2021, 17:03

  • Share

Mijëra qytetarë nga e gjithë bota ditën e sotme bëhen pjesë e Pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Festa e Shenjtë e Bektashinjve ka filluar që me datë 18 gusht dhe do të vazhdojë deri më 25 gusht, ndërsa dita e sotme është dita kulminante e këtij Pelegrinazhi. Me mijëra besimtarë ngjiten sot në Teqenë e Kulmakut, fluks që ka shkaktuar radhë kilometrike automjetesh, ndërsa rruga është bllokuar prej orësh tashmë.

Nga Mali i Tomorrit, ku po zhvillohet pelegrinazh Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka dhënë një mesazh për të gjithë besimtarët. Ai tha se situata në Afganistan, duhet të na bëjë të reflektojmë për të qenë më të paqte, më të ndërgjegjshëm e më optimistë.

Një ditë më parë, nga Pelegrinazhi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë që të kenë paqe e dashuri mes njëri tjetrit. Baba Mondi, me shpresën se ditëve të pandemisë do t’iu vijë fundi, falënderoi edhe të gjitha bluzat e bardha për punën e përkushtuar që kanë treguar duke iu ardhur në ndihmë njerëzve.

Gjatë ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës,ku çdo pelegrin falet për shëndet,mirësi e paqe në familjet e tyre.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë,në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 22 dhe 23 Gusht.

Mali i Tomorrit konsiderohet i shenjtë, pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.

Për mbarëvajtjen e fluksit të lartë të qytetareve që shkojnë në peligrinazh Policia e Shtetit ka marrë masat duke rritur prezencën e saj në rrugë, me patrulla të lëvizshme, me alkooltestues, me kamera, dronë e aparate fotografik.

 

Ora 16:59
Meta me foton nga malin e Tomorrit: Shëndet, mbarësi dhe zemra të gëzuara për të gjithë besimtarët dhe pelegrinët

Presidenti Ilir Mera, ka uruar besimtarët bektashinj në ditën kulmore të pelegrinazhit në malin e Tomorrit.

Me një fotografi nga Mali i Tomorrit, presidenti përmes rrjetit të tij social Facebook i uron besimtarëve  shëndet, mbarësi dhe zemra të gëzuara.

“Lutje të pranuara, shëndet të mirë, mbarësi dhe zemra të gëzuara për të gjithë besimtarët dhe pelegrinët në malin e shenjtë të Tomorrit.”, shkruan Meta.

Ora 15:42
Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, trafik i rënduar, besimtarët: Kemi mbi një orë që presim

 

Besimtarët, që kanë qenë në malin e shenjtë, u është dashur që të presin me orë të tëra në trafik. Për mikrofonin e Report Tv, ata shprehen se nuk kanë asnjë informacion se çfarë po bëhet. Pritjen ua bën edhe më të vështirë dielli i fortë dhe temperaturat e larta. 

"Kemi një orë fiks që presim, nuk e dimë se ç'po bëhet, jemi për të zbritur poshtë", tha një qytetar.

"Ne kemi gati 1 orë, na kanë thënë do hapet rruga për 20-30 minuta që presim", tha një tjetër.

"Kemi dy orë që presim na kanë thënë që do hapet rruga", u shpreh një tjetër qytetar për Report Tv.

Ora 14:53
Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Basha uron besimtarët bektashinj dhe u bën thirrje autoriteteve: Lehtësoni qarkullimin e mjeteve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët bektashinj në ditën kulmore të pelegrinazhit në malin e Tomorrit. Ndër të tjera Basha u ka bërë thirrje autoriteteve që të lehtësojnë qarkullimin e automjeteve dhe të jenë të vëmendshëm për çdo emergjencë shëndetësore.

‘Në ditën kulmore të pelegrinazhit të mijëra besimtarëve bektashinj në Malin e shenjtë të Tomorrit, uroj një marshim të mbarë, duke vlerësuar lart sakrificën e tyre për të forcuar besimin në Zot. Mali i Tomorrit është burim paqeje, shprese harmonie për të gjithë shqiptarët. I bëj thirrje autoriteteve të lehtësojnë qarkullimin e automjeteve dhe të jenë të vëmendshëm për çdo emergjencë shëndetësore.’- thotë Basha.

Ora 11:44
‘Pa atdhe nuk ka fe!’, Baba Mondi nga mali i Tomorit: Situata në Kabul të na bëjë të reflektojmë

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj me rastin e nisjes së pelegrinazhit në Malin e Tomorrit ka dhënë edhe një mesazh shprese e paqeje për gjithë njerëzimin.

Baba Mondi tha se duhet të reflektojmë e të jemi më të paqtë në këto kohë të trazuar që po kalon mbarë bota.

'Zoti qoftë i kënaqur me ju dhe familjet tuaja duke plotësuar çdo dëshirë që keni në jetë. Besimtarët ushqyen shpreësn e pafund. Rrugët e këtij Mali të Shenjtë u mbushën me hapat dhe zërat e besimtarëve dhe me optimizmin për vitet e vështira që ka kaluar Shqipëria. Kjo periudhë përkon me 105 vjetorin e themelimit të kësaj Teqeje.

Jeta e Abaz Aliut është dhe do të mbetet një model për çdo besimtar. Kam besimin se bekimi i të madhit zot se ky vend do të bëjë më të lirë dhe  më të paqtë shpirtin tonë. Pa atdhe nuk ka fe!  

Ballkani, Europa por edhe bota, ku po ndodhin luftra siç është Afganistani, duhet të na bëjë të gjithëve më të paqte dhe më të ndërgjegjshëm e më optimistë, dhe të reflektojmë tek vetja kudo që jemi.'- tha Baba Mondi.

Ora 11:18
Ruçi përshëndet pelegrinët në Malin e shenjtë të Tomorit: Në këtë botë të trazuar, njerëzit kanë nevojë për mesazhe gëzimi e paqeje

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot pelegrinët, të cilët po marshojnë drejt  Malit të shenjtë të Tomorrit, për të kremtuar festën e Abaz Aliut.

“Përshëndes dhe uroj sot qindra-mijëra pelegrinë, besimtarë bektashinj, të cilët prej disa ditësh po ngjiten në Malin e Shenjtë të Tomorit. Pelegrinazhi është një marshim besimi, përkushtimi, dashurie e sakrifice. Jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjithë besimtarët, për të gjithë shqiptarët. Tomori i Abaz Aliut, princi i bashkimit, vëllazërimit, paqes dhe mbrothësisë, është bërë destinacioni i besimtarëve nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe nga Diaspora. Në këtë botë të trazuar, të gjithë njerëzit, popujt dhe kombet  kanë nevojë për mesazhe gëzimi e paqeje kundër hidhërimit e konflikteve; kanë nevojë për besim e shpresë, përkundër dëshpërimit e pesimizmit; japin e marrin dashuri në vend të urrejtjes; i kundërvenë pasurinë shpirtërore varfërisë dhe pabarazisë; shtrijnë dorën e miqësisë përkundër  pezmatimit dhe armiqsive.”, shkruan në mesazhin e tij Ruçi.

Ora 10:09
Radha e makinave në Malin e Tomorrit, Policia apel për respektimin e rregullave të qarkullimit: Ata që kanë lënë automjetet pranë Teqes, t'i largojnë për të zhbllokuar rrugën

Ka reaguar me një apel për drejtuesit e automjeteve Policia Rrugore në Berat, pas radhës kilometrike të automjeteve në Malin e Tomorit.

Policia i kërkon shoferëve që të mos nxitojnë për të shkuar në destinacion dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugorë. Po ashtu, besimtarëve që kanë parkuar automjetet pranë Teqes, i kërkohet t'i lëvizin ato për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës në ngjitje.

Shoferëve që janë larguar nga automjetet duke vazhduar ngjitjen e malit në këmbë, Policia i kërkon që të lejnë në makinë një numër telefoni, në mënyrë që të afrohen kur të duhet për të lëvizur automjetin.

"Policia Rrugore e Beratit nisur nga fakti se në aksin rrugor në drejtim të Malit të Tomorit vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.  

Gjithashtu i bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që kanë parkuar mjetet pranë Teqes, të afrohen pranë mjeteve të tyre pasi ka fluks të madh të automjeteve dhe parkimet fillestare do ndryshojnë për të bërë të mundur qarkullimin  e automjeteve që janë në ngjitje.

Gjithashtu drejtuesit e mjeteve të cilët parkojnë mjetin dhe largohen të vendosin numrin e tyre të celularit në xhamin e mjetit në mënyrë që të telefonohen kur duhet të lëvizin mjetet", thuhet në njoftim e Policisë.

Ora 09:08
Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, radhë kilometrike makinash, besimtarët 'braktisin' automjete dhe vazhdojnë ngjitjen në këmbë për te Teqeja e Kulmakut

 

Mijëra besimtarët janë bërë pjesë e Pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, duke u ngjitur sot për në Teqenë e Kulmakut,  fluks që ka shkaktuar radhë kilometrike automjetesh.

Rruga është e bllokuar prej 4 orësh dhe nuk mundet të kalojë dot asnjë mjet, ndërsa zhbllokimin e fluksit nuk e kanë bërë dot as policët e angazhuar në terren. Nuk dihet se sa mund të zgjasë ky bllokim, ndërsa shumë besimtarë kanë lënë makinat, duke iu drejtuar malit në këmbë për të mbërritur në Teqenë e Kulmakut.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?