Tirane- Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, dy grupet më të mëdha politike të PS e PD kanë nisur punën, secili me objektiva të qarta për aktivitetin, në prag edhe të këtij viti zgjedhor.
Socialistët u mblodhën sot (2 shtator) në orën 10:00 në kryesinë e kuvendit, për herë të parë nën drejtimin e Niko Peleshit si kreu i ri i grupit. Direkivat që iu dhanë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, Peleshi ua përcolli deputetëve duke njoftuar mbajtjen e një tjetër retreat-I pas atij të qeverisë, që fokusin do ta ketë tek komunikimi publik dhe angazhimi më I madh i ligjvënësve edhe në rrjetet sociale e daljet mediatike.
Angazhim maksimal u kërkua edhe nga ministrat, të cilëve kryetarja e re e parlamentit, Elisa Spiropali u kërkoi gjatë mbledhjes të jenë aktivë në seancat plenare sa herë që diskutohen projektligje që lidhen me dikasteret e tyre.
Ndërsa tek demokratët, ndryshe nga socialistët tensioni politik rrezatohet më lehtë. Gazment Bardhi foli për aksion të gjithanshëm pas mbledhjes së grupit të PD-së në selinë blu, me realizimin e të vetmit objektiv pas të cilit demokratët janë kapur fort “Zgjedhje të lira e të ndershme”.
“Fokusi kryesor i axhendës tonë parlamentare e aksionit tonë politik do të jetë i fokusuar tek beteja për të garantuar zgjedhjet të lira e të ndershme. Ka një grup dialogu që është funksional dhe duhet të përmbyllë në kohë reformën zgjedhore. Shqipëria duhet të përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR" tha Bardhi.
Zërat se gjatë mbledhjes deputetët kanë kërkuar nisjen e një sezoni të ri protestash, Gazment Bardhi i mohoi dhe vendimmarrjen ia la strukturave të partisë, por njoftoi një tjetër nisjen e një tjetër aksioni opozitar në parlament, atë përmes komisioneve hetimore, 2 prej të cilave të paralajmëruar si ai për teatrin dhe akuzat opozitare për përfitim të pronave nga familja e Ramës në bregdet.