Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën me dije se është normalizuar situata e krijuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që përfshiu disa qytete të vendit.
"Situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje."
Peleshi theksoi se tre ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm.
Po ashtu sipas tij, vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.
“Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta. U bëjmë thirrje qytetarëve të njoftojnë në kohë, në rast nevoje dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme”, theksoi ministri.
Lajmi kryesor:
Stuhia 'Ciaran' godet Shqipërinë! Përmbytje rrugësh në Tiranë e Durrës, Rrëshiqtje dherash dhe pemë të rrëzuara! Evitoni lëvizjet e panevojshme
B.K/ReportTv.al