Biznesmeni Pëllumb Gjoka, shoferi i tij, Edmond Preka, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, prokurori Xhevahir Lita dhe ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, i janë drejtuar gjykatës së lartë për të kërkuar lirinë. Relator i çështjes në Gjykatën e Lartë është caktuar Ilir Panda, i cili nuk ka caktuar ende një datë për shqyrtimin e kërkesës.
Më 31 gusht Apeli i Posaçme i la në qeli në masë “arresti me burg” personat e arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”.
Teksa biznesmeni dhe ish-zyrtarët përpiqen për liri, SPAK nga ana tjetër ka thelluar edhe më tej hetimet, duke kaluar në sitë edhe pronat e tyre, për të verifikuar burimin nga janë krijuar pasuritë. Biznesmenit Gjoka i është sekuestruar 390 mijë metra katrorë tokë në Pulaj- Plazh, Velipojë, regjistruar në emër të babait të tij, tokë të cilën tentoi ta zhbllokojë por Apeli ia rrëzoi kërkesën, pasi SPAK ka dyshime se është përvetësuar me dokumente të falsifikuara.
Operacioni "Metamorfoza' erdhi pas dekodimit nga francezët dhe belgët të mesazheve në aplikacionit “SkyECC”, por avokatët pretendojnë se nuk mund të konsiderohet provë komunikimi në këtë platformë.
Të arrestuarit akuzohen për vrasje, korrupsion dhe grup kriminal, ndërkohë në kërkim janë ende 9 persona, mes të cilëve Behar Bajri dhe Ervis Martinaj. Përgjimet zbardhën një vrasje dhe pesë tentative vrasje si dhe akte korruptive të prokurorit dhe zyrtarit të policisë që favorizonin grupin kriminal.