Politikë

Peng mbi 53 mijë zarfe, çfarë po ndodh me votat e shqiptarëve të Greqisë? PS kërkon të numërohen, Celibashi vendos nesër! U ndanë veç me kërkesë të PD

15 Maj, 16:46| Përditesimi: 15 Maj, 22:57

  • Share

Nga mbi 1.7 miliona votat e hedhura më 11 maj, brenda dhe jashtë vendit, thuajse të gjitha janë numëruar, kur bëhet fjalë për ato për partitë politike. Në ‘apel’ mungojnë vetëm votat e shqiptarëve të Greqisë. Hapja e mbi 53 mijë zarfeve është kthyer në problemin më serioz të procesit të numërimit.

Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet. Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me pretendimin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga Kryekomisioneri Celibashi. Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.

Megjithatë jemi përballë faktit të kryer që të gjitha zarfet e Greqisë janë ndarë tashmë më vetë, dhe një vendim i Kolegjit nuk do të zgjidhte asgjë. orët e vona të mbrëmjes së sotme (15 maj), kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zbarkoi në Parkun Olimpik për të ndjekur procesin, teksa ishin duke u numëruar edhe 2 mijë zarfat e fundit të diasporës, pa llogaritur ato të Greqisë.

Për t’i dhënë një drejtim numërimit, komisioni zonal për votimin e diasporës, siç Kodi Zgjedhor e detyron, u përpoqën të marrin një vendim për të konkluduar se çdo të ndodhte me votat e konsideruara të kontestuara. Duke qenë se janë të ndarë politikisht në barazim, votimi i Komisioneve ishte 2 me 2 dhe vendimmarrja nuk u arrit.

Për ta zgjidhur problemin Partia Socialiste iu drejtua me një kërkesë tjetër kryekomisionit Ilirjan Celibashi, që të merrte ai një vendim. Kodi Zgjedhor thotë se kur një KZAZ nuk arrin dot vendimmarrjen, zgjidhja i kalon KQZ-së. Pritet që kryekomisioneri Ilirjan Celibashi të vendosë nesër në 09:30 se çfarë do të ndodhë me votën e Greqisë. 

"Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike ditën e premte, datë 16 maj 2025, ora 09:30 me këtë rend dite:

Çështje për shqyrtim rishtazi: Për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për marrjen e masave për vijimin e rregullt të procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë", thuhet në njoftimin e KQZ. 

Tashmë janë të gjithë në pritje të Celibashit. 53 209 votat e ardhura nga Greqia presin vendimin e tij, ndërsa kryekomisioneri edhe pse kanë kaluar disa orë ende nuk ka një qëndrim. Më herët ai ka thënë se votat do numërohen por mënyrën se si e ka lënë evazive. PD kërkon që të votohen vetëm ato që kanë firma të personit votues, pasi pretendon se ka edhe zarfe që nuk janë firmosur nga zgjedhësi kur janë marrë ose kur janë dorëzuar. Për këtë Celibashi ka kërkuar nga kompania DHL dokumentacionin me firmat, kërkesë e bërë nga PD, duke paralajmëruar një tjetër situatë bllokimi.  

Ora 19:42
Vota e diasporës/ Celibashi anulon akreditimet e vëzhguesve te Parku Olimpik, partitë nga një për grup numërimi e një për qark (VENDIMI)

1747035848_votaediaspores.JPG

Në pritje të mbledhjes së nesërme për hapjen e 53 mijë zarfave të votave të Greqisë që u bllokuan me kërkesë të PS, kryekomisioneri i KQZ merr vendimin e ri.

Partitë garuese do kenë nga një vëzhgues për çdo grup numërimi në Parkun Olimpik dhe nga një vëzhgues për secilin qark. Shoqëria Civile duhet të aplikojë deri nesër në 12:00, ndërkohë subjektet politike kanë afat për të aplikuar për vëzhgues të rinj deri mesnatën e sotme. 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi anulon pothuajse të gjitha akreditimet për vëzhguesit e partive në qendrat e numërimit për votat e diasporës në parkun olimpik “Feti Borova”.

Sipas vendimit të firmosur dhe vulosur sot nga kryekomisioneri, theksohet se secili prej 11 subjekteve politike në garën elektorale do të ketë vetëm nga një vëzhgues të akredituar pranë grupeve të numërimit apo të ndarë sipas qarqeve, kurse për të tjerët ai anulohet.

Do të lejohen vetëm vëzhguesit e mediave me akreditim dhe ata ndërkombëtarë. Do të lejohen vëzhgues edhe nga shoqëria civile, por vetëm pasi të bëjnë aplikimin sipas procedurave.

Kërkesat duhet të paraqiten në KQZ deri ditën e nesërme, deri në orën 12:00 për shoqëritë civile dhe deri në 24:00 për ata të partive politike.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimimi brenda 3 ditëve nga shpallja e tij, sipas ligjit.

Ky vendim duket se merret në prag të mbledhjes së nesërme që do zhvillohet pas kërkesës së PS për të nisur numërimi i votave të bllokuara të diasporës së Greqisë. PS ka akuzuar Celibashin për shkelje të ligjit me pranimin që në fillim të kërkesës së PD për të bllokuar këtë numërim. Nesër mund të vendoset hapja dhe numërimi i 53 mijë zarfeve nga Greqia.

Vendimi i Celibashit, për anulimin e akreditimeve të vëzhguesve
Ora 16:37
Votat nga Greqia ende peng, PD kërkon që DHL të bëjë transparente mënyrën e shpërndarjes dhe mbledhjes së zarfeve

1747000596_WhatsAppImage20250511at23.55.36.jpeg

Partia Demokratike i kërkoi sot kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që t’i kërkojë kompanisë postare të bëjë transparente mënyrën dhe bazën ligjore mbi të cilën ka realizuar shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfave me vota në Greqi.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 15:40
Votat nga Greqia ende peng, PS i kërkon KQZ të numërohen! Balla: Humbësit po përpiqen të pengojnë shpalljen e rezultatit përfundimtar

Partia Socialiste i ka kërkuar këtë të enjte Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të vendosë përfundimisht nisjen e numërimit të votave të ardhura me postë nga shqiptarët në Greqi, të cilat kanë mbetur peng. 

Nga ambientet e Parkut Olimpik, ku zhvillohet procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla deklaroi për mediat se humbësit po përpiqen të pengojnë shpalljen e rezultatit përfundimtar.

“Synimi ynë është i qartë: të lexohet çdo votë e ardhur nga motrat dhe vëllezërit tanë në diasporë dhe të përmbyllet sa më shpejt ky process. Kemi vërejtur se në komisionet e administrimit, vlerësimit dhe numërimit të votave nga jashtë nuk ka një kuorum për të marrë vendime, pra për shkak të balancës politike që ekziston në to. Sipas parashikimeve të Kodit, tani më i jemi drejtuar edhe Komisionerit, z. Celibashi, i cili ka të gjithë kompetencën e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe nga vendimet përkatëse të rregullatorit, me qëllim vijimin e këtij procesi.Pra, e keni parë ditën e diel në darkë që ka ardhur një përfaqësues politik dhe i ka thënë numëruesve, gjë që s'ka ndodhur kurrë, për të mos numëruar Dhe më lejohet, besoj, që mund ta bëj këtë gjë për të vijuar procesin në mënyrë normale, dhe besoj që të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe përfaqësuesit apo drejtuesit politikë të të gjitha forcave politike në gjitha vendnumërimet e votave. Votat janë të mbyllura me procesverbale dhe janë dorëzuar në mënyrë të rregullt në KQZ. Detyra e këtyre komisioneve është t’i lexojnë, pa vonesa dhe pa ndërhyrje politike. Pas këtij momenti vijon dhe saga e përhershme e kontestimeve nga çdo subjekt garues në këto zgjedhje”,- tha Balla.

Kërkesa e socialistëve vjen pasi KAS ka rrëzuar vendimin për pezullimin e numërimit të votave nga Greqia. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS vendosi që votat e Greqisë të numërohen, por PD e ankimoi këtë vendimmarrje në Kolegjin Zgjedhor i cili mblidhet të premten në orën 13.00 për vendim.

PS i dorëzoi KZAZ-së së Diasporës kërkesë për të hapur Greqinë, por vendimmarrja i kaloi kryekomisionerit Celibashi, pasi anëtarët e KZAZ-ve janë 2:2 dhe nuk gjetën dakordësi.

 

K.T./A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Korab: 15/05/2025 19:40

    Nese nuk numerohen do te jete poshtersia me e madhe ,eshte e patolerueshme dhe shume ofenduese nese kjo dote ndodhe,jane me te vuajturi dhe me te munduarit,me cdo kushte duhet tu degjohet zeri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se qeveria Rama 4 do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?