Më shumë se 791 mijë pensionistë do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve prej 4.1%, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 tetori 2024.
Lidhur me këtë indeksim, Romina Radonshiqi, eksperte Ekonomie e ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Përballje’ në Report Tv, u shpreh se indeksimi këtë vit ishte i vonuar.
“Në fakt indeksimi pritej në periudhë e pranverës, prill -maj pritej të kishte indeksim dhe kjo shtyrje ka sjell një zemërim të pensionistëve. Është indeksim si është parashikuar në ligj, por kemi dy probleme, e para një pjesë e pensionistëve jetojnë në varfëri ekstreme dhe i dyti është kjo shtyrje për ata është disa para të munguara. Mendoj se indeksimi duhet të ishte bërë kohë më parë dhe të mos lihej për në tetor", tha ajo.
Ekspertja bëri edhe një përllogaritje se sa lekë shpenzon një pensionist mesatarisht në muaj në Shqipëri. Ajo theksoi se rritja e remintancave do të thotë pensionistë më të varfër.
“Për shpenzime konsumi janë 15 mijë lekë, për energji 6 mijë lekë, për veshje dhe mirëmbajtje 4 mijë lekë, për shërbime shëndetësore 6 mijë lekë. Ne dimë qeë kemi mjekësi falas, por një pensionistët shkon në spitale, mund të marr shërbimin falas por s’mund të jenë medikamentet aty dhe do të shkoj tek farmacia me e afërt për ti marr ato. Për argëtim është 5 mijë lekë, një kafe në ditë do ta pi apo po marr nipin që ti blejë diçka. Në total shkon në 36 mijë lekë në muaj një shpenzim mesatar i një pensionisti. Sa është pensioni mesatar në Shqipëri, në qytet është 18 mijë lekë, dhe nëse pensioniti ka fat që të ketë fëmijë emigrantë ai bënë një jetës normale. Dhe me rritjen e remitancave ne nuk duhet që të mburremi, sepse është një rast që tregon që pensionistët ose familjet shqiptare po varfërohen dhe ndaj emigrantët po dërgojnë para”, tha ajo.
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Pano Sako, në një lidhje skype për emisioni tha se pensioni në qytet dhe në fshat është poshtë minimumit jetik.
“Çështja e indeksimit është detyrim ligjor dhe qeveria duhet që ta bëjë do apo s’do. Ne kemi faktin që pensionisti jeton me 80 për qind të minimumit jetik në qytet, ndërsa në fshat sot pas rritjes do të marr 115 mijë lekë të vjetra që i bie të jetoj me gjysmën e minimumit jetik. Problemi kryesor që ka pensioni sot nuk është indeksimi, por 30% e popullsisë jetojnë sot në minimumin jetik mesatarisht. Pensioni edhe në qytet edhe në fshat janë poshtë minimumit jetik. Pensionet janë të ulëta do të duhet që të merret një reformë e thellë që të ketë për synim çuarjen e pensionit të paktën mbi minimumin jetik. Halli nuk është se ne sot kemi një 3 kontribues për një përfitues, por ne kemi një kontribuues për një përfitues", tha ai.
Qeveria miratoi indeksimin e pensioneve me 4.1%, por sa para shkojnë në xhepin e pensionistëve?
Këtë e shpjegoi ekspert i pensioneve Kujtim Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Përballje’, i cili u shpreh se rritja që i bëhet pensionit me këtë indeksim është e ulët.
“Qeveria me vendimin e saj miratoi një fond 1 miliard e 693 mijë e përkthyer mesatarisht për çdo pension në qytet e barabartë me 752 lekë. Sa shtohet pensioni në krahasim që ka marr mesatarisht, merr 15 kafe gjatë gjithë muajit, nuk siguron me këtë që quhet indeksim një kafe 50 lekëshe një ditë po një ditë jo. Në fshat 453 lekë e pjesëtuar me 50, i bie 9 kafe në muaj, ose e përkthyer në ushqime 2 shishe me qumësht, kjo është ajo që quhet shtesa dhe që pritje me shumë kureshtje dhe me shpresë se do tu rritej pensioni”, tha ai.
Sipas tij, skema e sigurimeve shoqërore është përkeqësuar krahasuar me vitet e mëparshme.
“Po ti shohësh këto që quhesh shtesa, në skemën e sigurimeve shoqërore është përkeqësuar raporti nga vitin 2018, viti më i afërt që krahasojnë këta, pra është 31 për qind e pagës minimale, pensioni mesatar. Në 2023 ka vajtuar 26 për qind është përkeqësuar”, tha ai.