Foto ilustruese

Pensionet/ Ndryshojnë rregullat për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët

19 Dhjetor 2018, 07:39| Përditesimi: 19 Dhjetor 2018, 08:48

  • Share

Një projektligj i ri është përgatitur kohët e fundit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe personeli përkatës i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që parashikon të ndryshojë rregullat për shtesat në pensionet e minatorëve, naftëtarëve dhe punonjësve të sektorit të metalurgjisë.

Drafti ende nuk ka kaluar në Këshillin e Ministrave. Ai ka për qëllim të mbulojë me përfitime përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë, mbi ato që akordohen nga ligji për sigurimet shoqërore për tre kategori mjaft të veçanta punonjësish, të cilët kanë punuar në miniera nëntokë, në industrinë e naftës, si dhe në punë me një shkallë vështirësie shumë të lartë në metalurgji.

Përfituesit
Përfitues të shtesave të veçantë për vështirësi pune, sipas këtij ligji, janë pensionistët që kanë përfituar pension edhe sipas ligjit të vitit 1966 për sigurimet shoqërore, por edhe atë të vitit 1993. Po kështu, projektligji vendos rregulla edhe për ata, që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme, punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë  shumë të vështira; shkrirje etj.

Përfitimi
Ish-punonjësit e kategorive të mësipërme përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion sipas këtyre koeficientëve: punonjësit e nëntokës, 1% të masës së pensionit të pleqërisë; punonjësit e industrinë së naftës e gazit dhe punonjësit e metalurgjisë 0.6% të masës së pensionit të pleqërisë.

Për ish-punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës  he kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë të konsideruara “punë, që hyjnë në kategorinë e parë”,  përcaktohet si moshë për dalje në pension mosha 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë; periudha përgjithshme e sigurimit duhet të jetë për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet dhe vjetërsia në punë të kategorisë së parë për burrat 15 vjet dhe për gratë 12.5 vjet.

Për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë që hyjnë në kategorinë e dytë mosha do të jetë për burrat 60 vjeç, për gratë 55 vjeç; periudha e sigurimit për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet dhe vjetërsia në punë të kategorisë së dytë për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Ish-punonjësit që kanë punuar në metalurgji do të kenë moshë pensioni për burrat 60 vjeç, për gratë 55 vjeç; periudha e sigurimit për burrat 30 vjet, për gratë 25 vjet dhe vjetërsia në punë të kategorisë së parë për burrat 20 vjet, për gratë 15 vjet.

Përjashtimet
Duke u fokusuar në parimin e dhënies së një trajtim të veçantë financiar, i adresuar për profesione shumë të vështira, projekti që paraqitet për shqyrtim e miratim përjashton nga përfitimi punonjësit e industrisë mekanike të naftës. Nuk përfitojnë nga shtesat punonjës që kanë punuar në ndërmarrjet e naftës, por që nuk kanë patur  lidhje të drejtpërdrejtë me punët në shpim-kërkimin, shpim-shfrytëzim, prodhimin, sizmikën, gjeofizikën kantieriale, transportin me naftësjellës dhe gazsjellës.

Kontributet
Duke qenë se ish-punonjësit e nëntokës në trajtim financiar të veçantë, apo të papunë dhe pa mbështetje sociale me kushte të plotësuara, nuk kishin periudha të mbuluara me kontribute me shtesë, për përfitime të parakohshme, skema është përcaktuar, duke vendosur edhe një kontribut shtese prej 5%, që duhet të paguhet nga punëmarrësit dhe punëdhënësit aktualë, si dhe financime buxhetore për mbulimin e përfitimeve aktuale, si dhe pjesë të efektit financiar që nuk mbulohet nga kontributi shtesë.

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihen periudha në profesion, vetëm ato, gjatë të cilave është paguar kontributi i veçantë. Periudhat e sigurimit të pambuluara me kontribute të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore nuk njihen të vlefshme për këtë projektligj.

Kontributi që do të paguhet këtej e tutje për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahen 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.

Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet 2.5% nga punëdhënësi dhe 2.5% nga punëmarrësi.

Faksimile e projekt-ligjit për trajtimin financiar të punonjësve të minierave dhe gazeve

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?