Rama u dha leje, por shiu mbylli brenda të moshuarit dhe fëmijët, vetëm disa biznese hapur (Ndalohen makinat)

2 Maj 2020, 07:32| Përditesimi: 2 Maj 2020, 15:44

  • Share

TIRANE-Fundjava ka nisur me rregulla të reja për qytetarët dhe bizneset. Nga rregulli i ri përfitojnë pensionistët, të cilët sot kanë liridalje deri në orën 10:00, po ashtu edhe nesër, teksa javën e parë patën vetëm një ditë, të shtunën deri në 11:00. Gjatë kohës që pensionistët lejohet që të dalin, të gjithë të tjerët do të jenë brenda.

Ndërkohë kur pensionistët të jenë rikthyer brenda, nga ora 11:00 deri në 17:30 sot dhe nesër do të lejohet që të dalin prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç. Që do të thotë se përveç nënave sot u jepet leje për të dalë nga shtëpia të dy prindërve dhe jo më me fëmijë deri në 10-vjeç, por 14 dhe të dyja ditët. 

Në dy javët e fundit ishin lejuar që të dilnin vetëm nënat me fëmijët deri në 10-vjeç vetëm të dielën, por tashmë fasha është zgjeruar, ndërsa është lejuar edhe babai.

Por cfarë do të ndodhë me bizneset? Sot do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30. E diela do të jetë mbyllur për të gjitha bizneset. Gjithashtu në fundjavë, pra sot dhe nesër do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private.

Rregullat e reja për sot dhe nesër
Sot dhe nesër pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00.

Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare.

Sot dhe nesër prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30.

Sot do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30.

Nesër të gjitha mbyllur.

Sot dhe nesër do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private.

Ora 14:37
Shiu penalizon të moshuarit dhe prindërit me fëmijë në Shkodër, lëvizjet me pikatore në qytet

Reshjet e shiut që kanë përfshirë Shkodrën nuk kanë favorizuar as pensionistët dhe as prindërit me fëmijë të shijojnë liridaljen e dhënë nga qeveria. Rrugët kane qenë thuajse te boshatisura gjatë ditës së sotme në Shkodër, ndërsa edhe lëvizja e makinave ka qenë me pikatore.

Ora 13:37
E ndaluar me ligj, por sërfisti në Sarandë nuk i reziston detit (VIDEO)

Saranda e cila është shpallur zonë e gjelbër sot është penalizuar nga koha jo e mirë. Shirat dhe kohë me re nuk ka favorizuar daljen e qytetarëve nga shtëpi, por gjithsesi nuk kanë munguar rastet kur ka ndodhur e kundërta.

Ky është edhe rasti i një sërfisti i cili mbi të tjera ka sfiduar edhe të ftohtin, duke ushtruar sportin e tij të preferuar në det. Gjithsesi kjo është e ndaluar me ligj, pasi të futesh në det nuk është aktivitet i lejuar këto kohë koronavirusi.

Ora 13:29
Të moshuarit në Elbasan sfiduan shiun, me çadra në bulevard dhe në parkun e qytetit

Edhe pse moti sot në mëngjes në Elbasan ishte me shi, të moshuarit e kanë sfiduar këtë duke dal nga shtëpia mbas dhënies së lejes nga ana e kryeministrit. Me çadra në duart ato kanë shëtitur në bulevard dhe në parkun e këtij qyteti, aty ku disa kanë qëndruar edhe për të biseduar me bashkëmoshatarët e tjerë.

Ora 12:53
Doli sot pas 6 mujash, nëna e fëmijës me aftësi të kufizuara në Fier: Ne nuk u mërzitëm, kështu e kemi jetën

Mbas mbarimit të orarit të fashës së pensionisteve, vendin e gjyshërve e kanë zënë nipërit dhe mbesat e shoqëruar nga prindërit. Edhe pse koha jo e përshtatshme, pasi ka rënë dhe herë pas here bie shi, fëmijët kanë dalë në parkun kryesor të qytetit duke u argëtuar në qendrën e lojrave.

Ajo që bëri shumë përshtypje ishte një fëmijë me aftësi të kufizuara, që lëvizte e shoqëruar nga nëna e saj. Ajo quhej Erta dhe i shpërndante trëndafila  prindërve të tjerë që shoqëronin fëmijët e tyre me një mbishkrim: "Rrini në shtëpi për vete dhe për mua, nga Erta".

"Unë me Ertën kemi një kohë karantinë shumë të zgjatur, pothuajse 6-mujore, se ne kështu e kemi jetën. Kjo na ka bërë të jemi shumë të duruar dhe të kemi shumë forcë. Meqenëse se kategoria e fëmijëve si Erta janë në rrezik dhe gjithashtu të moshuarit menduam të shpërndajmë nga një trëndafil.

Në kështu e kemi jetën. E kemi pranuar këtë gjë nga zoti. Dua shumë që Erta të bëhet mirë. Jemi në muajin e Ramazanit dhe unë i uroj njerëzve paqe, begati, mirësi, se këto janë vërtetë ditë të paqta,"-shprehet nëna e Ertës.

Ora 12:25
'Shiu të bie, por unë kam për të dalë!' Fëmijët në Korçë për orarin e daljes: Sot jemi duke u kënaqur

Pas pensionistëve që kishin mundësi të lëviznin deri në orën 10:00, tani është radha e prindërve me fëmijë për të dalë një xhiro. Në Korçë mezi e kanë pritur këtë moment pasi pavarësisht kohës së keqe prindërit me fëmijët kanë dalë.

'Sot dolëm megjithëse shiut. Kemi rreth një orë që kemi dalë dhe fëmijët po kënaqen. Po avash avash do ikim për shkak të kohës. Tani drejt më thënë duhet të lehtësohen të gjitha dhe të dalim lirshëm, megjithëse rreziku ekziston. Nuk ka qenë shumë e vështirë që të menaxhohen fëmijët se në shtëpi kam ambient të madh, por gjithsesi në parqe është ndryshe.'-shprehet një nënë.

'Sot kemi dalë dhe ndjehemi shumë mirë. Nuk po qëndrojmë dot gjatë për shkak të kohës, por tani do rrimë në një strehë. Jemi mërzitur pak gjatë këtyre ditëve, por në shtëpi kalojmë kohën duke u marrë me lodrat,'-shprehet një fëmijë.

'Sot jam kënaqur, pasi këto ditë i kam kaluar duke shmangur njerëzit. Për shkak të koronavirusit nuk takohem me shokët. Tani është prishur kohë, por unë kam për të dalë,'-shprehet një tjetër fëmijë.

Ora 11:48
'Unë me frikë lëviz', pensionistet në Korçë: Masat të qëndrojnë akoma, nuk duhet të hapen

Pensionistët në Korçë e kanë shfrytëzuar lejen për dalje të vendosur nga autoritet për të bërë xhiro dhe për të marrë ajër të pastër. Por një nga pensionistet thotë se e ka të nevojshme të dalë edhe ditë të tjera:

"Unë sot dhe nesër do dal, por polica ka andej-këtej. Unë me frikë lëviz, një ditë dola dhe polici më ktheu në shtëpi. Jetoj vetëm se fëmijët i kam në Greqi. Ja dal se s'kam internet dhe shkoj flas me fëmijët. Shoh ndonjë lajm në televizor, por them se ne pensionistët duhet të dalim se ne ky ajri na mban."

"Do ta mbajmë distancën se kemi fëmijë dhe mosha jonë është më e rrezikuar. Jemi me tension. Por unë them prapë duhet të qëndrojmë kështu nuk duhet të hapet,"-shprehet një tjetër pensioniste.

Ora 10:03
Autoritet vendosën t'i nxirrnin pas një jave, por shiu mban brenda pensionistët në Kukës

Në Kukës të paktën pensionistët nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë orarin e lejuar nga autoritet për të dalë shëtitje. Kjo për shkak të arsyeve natyrore, pasi Kukësi mëngjesin e sotëm është zgjuar me reshje shiu.

Për këtë arsye edhe rrugët e qytetit kanë qenë bosh, me lëvizje shumë të rralla të makinave. Mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë pas orës 11:00, orar kur lejohet të lëvizin prindërit me fëmijët.

Ora 09:48
'Zhduken' makinat në Lushnje, të moshuarit në rrugë dhe parqe, vetëm disa biznese të hapura

Sot Lushnja duket shembull në respektimin e rregullave të vendosura nga autoritet për fundjavën. Në rrugët e qytetit është shumë e vështirë të shquash makina, ndërsa në lëvizje janë vetë, ato të cilët duhet të udhëtojnë për punë.

Sakaq mosha e tretë ka shfrytëzuar liri daljen e vendosur deri në orën 10, duke mbushur parqet e lulishtet.

Ndërkohë nga bizneset janë të hapura dyqanet e bukës, të ushqimorëve dhe ato të fruta perimeve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?