Bota

Pentagoni dhe NATO shqyrtojnë garancitë për Ukrainën, Trump i kërkon Orbanit të mbështesë anëtarësimin e saj në BE

20 Gusht, 11:23| Përditesimi: 20 Gusht, 16:27

  • Share

Planifikuesit ushtarakë amerikanë dhe evropianë kanë filluar të shqyrtojnë garancitë e sigurisë pas konfliktit për Ukrainën, thanë zyrtarë amerikanë dhe burime për agjencinë Reuters të martën, pas premtimit të presidentit Donald Trump për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit në kuadër të çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë inkurajuar nga premtimi i Trump gjatë një samiti të hënën për garanci sigurie për Kievin, por shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Zyrtarë i thanë Reuters se Pentagoni po zhvillon ushtrime planifikimi për të shqyrtuar çfarë mbështetjeje mund të ofrojë Uashingtoni përtej furnizimit me armë. Por ata paralajmëruan se do të kërkohej kohë që planifikuesit amerikanë dhe evropianë të përcaktojnë se çfarë do të ishte ushtarakisht e realizueshme dhe e pranueshme për Kremlinin.

Një nga opsionet ishte dërgimi i forcave evropiane në Ukrainë, por me SHBA-në në krye të komandës dhe kontrollit të tyre, thanë për Reuters dy burime të njohura me çështjen. Burimet shtuan se trupat nuk do të vepronin nën flamurin e NATO-s, por nën flamujt e vendeve të tyre përkatëse.

Pentagoni dhe NATO nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi këtë ide. Në një konferencë për shtyp, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në koordinimin e një garancie sigurie për Ukrainën.

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së trupave nga vendet e NATO-s për të ndihmuar në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje.

Trump publikisht e ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë, por të martën la të hapur mundësinë për përfshirje të tjera ushtarake të SHBA-së. Në një intervistë për programin "Fox & Friends" të Fox News, ai sugjeroi se Uashingtoni mund të ofrojë mbështetje ajrore për Ukrainën.

“Kur vjen puna te siguria, (evropianët) janë të gatshëm të vendosin njerëz në terren, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me gjëra, veçanërisht, ndoshta, ... nga ajri, sepse askush nuk ka pajisjet që kemi ne – ata vërtet nuk i kanë,” tha Trump.

Ora 14:45
Lavrov: Diskutimet e sigurisë për Ukrainën pa Moskën janë një rrugë që nuk të çon askund

1755244833_sergeylavrov.jpg

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov thotë se janë në favor të garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën, por shprehet që Shtetet e Bashkuara të kuptojnë se diskutimi i çështjeve të sigurisë pa Rusinë është një “rrugë që nuk çon askund”. Sipas tij, SHBA-të i kanë më të qarta shkaqet rrënjësore të krizës. 

Siç raporton Reuters, Lavrov kritikoi gjithashtu ato që i konsideroi si përpjekje “të ngathëta” nga Evropa për të ndryshuar qëndrimin e Trump ndaj Ukrainës, duke paralajmëruar se blloku po përpiqej vetëm të “përshkallëzonte në mënyrë agresive situatën në Ukrainë”.

Ai gjithashtu pretendoi se evropianët nuk paraqitën asnjë ide “konstruktive” në takimin e tyre me Trumpin.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?