Astrit Haka bashkë me familjen u kthye nga emigrimi 10 vite më parë për të investuar në vendlindje. Njohuritë e marra në Greqi, por dhe paratë e fituara andej i investoi në sera në fshatin Vashaj të Peqinit. Fermeri shprehet i kënaqur me prodhimin e perimeve por jo me fitimin.
"U bë tashi 10 vite që merrem me kultivimin e serave, që kur jam kthyer nga emigracioni. Investuam ne sera i mbollëm u kujdesëm, gjithsesi jetojmë. Aktualisht jemi duke kultivuar trangullin. Çmimet janë jo të arsyeshme sivjet”, tha fermeri Astrit Haka.
Haka gjykon se në treg janë tregëtarët ata të cilët shpesh abuzojnë me çmimet e produkteve vendase dhe i bëjnë të papërballueshme për konsumatorët.
"Sot isha në treg dhe sot u shit 60 -65 lekë kastraveci. Unë nuk e di kush abuzon me çmimet që konsumatori ta hajë shtrenjt si trangullin si domaten ashtu edhe të gjithë të tjerët, nuk kam njohuri për kete por di që ne vuajmë nga tregu, kosto është shumë e lartë", shprehet ai.
Veç kostos së lartë dhe puna e madhe që duhet në tërë këtë serë, familja e Astrit Hakës, vuan edhe fuqinë puntore. Sipas Atritit të rinjtë nuk e duan më bujqësinë.
"Unë këtë vit kam 3 mijë e 500 m² trangull edhe me kete meremi. Përsa i takin fuqisë punëtore familjarisht punojmë burrë e grua, jemi të punësuar nxirrim një ditë pune. E kemi problem fuqinë puntore të rinjtë nuk duan t'ia dinë fare për bujqësinë."
Krahu i punës në zonat rurale tashmë është bërë një sfidë për bizneset bujqësore, jo vetëm në zonat e Peqinit por në të gjithë vendin. Disa prej tyre po detyrohen të paguajnë më shumë për punonjës që banojnë larg vendeve të punës.