Për ata që janë në siklet, pse po dalin për Metën më 2 mars!

28 Shkurt 2020, 20:50| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 20:53

  • Share

Në fillim e tha një aktor i celulës së Ilir Metës: “Unë do të shkoj më 2 mars, jo për Ilir Metën, por për Kushtetutën”. U duk pak si humor mediokër. Pastaj e thanë disa politikanë nga ata të opozitës, që i mban larg dhe Berisha dhe Basha. Dhe ata përsëritën frazën: “Do shkoj më 2 mars, jo për Ilir Metën, por për Kushtetutën”.

Pastaj u ngrit Ilir Meta i shkoi në zyrë Sali Berishës dhe ju hakërrye përse Lulzim Basha nuk po fliste.

Pastaj u dëgjua dhe Lulzim Basha t’ju thotë strukturave që “më 2 mars do të jeni në bulevard, jo për Ilir Metën, por për Kushtetutën”.

Dhe prej asaj dite ky refren përsëritet nga çdo njeri defiçent në shoqëri që tenton të na tregojë se është gjallë. I fundit që erdhi nga përtej detit ku jeton si emigrant, është dhe ish Ministri Teknik Demiraj. Edhe ai “jo për Ilir Metën, por për Kushtetutën”.

Ky është rasti i parë në historinë e politikës shqiptare, ku persona të margjinalizuar nga politika apo opinioni publik, duan të bëhen faktorë në një ngjarje, por u vjen turp nga personazhi kryesor i ngjarjes.

Unë nëse do të shkoja më 2 mars në shesh, do të shkoja për Ilir Metën. Mirë apo keq, ai është historia jonë politike 30 vjeçare, një politikan i bërë vetë, i bërë keq, por me forcat e tij.

Në shumë momente të historisë së 30 viteve, ka qenë në anën e duhur të historisë, ashtu si shpesh ka qenë personazh i ditëve të zeza të saj.

Problem i tij është se pas 30 vjetësh ka një ezaurim të plotë politik dhe kam frikë se dhe intelektual, e mendor. Nuk është më dikush që ngjall më shpresë në këtë vend, sidomos kur u thotë të rinjve “mos ikni se më keni mua këtu”. Ai është një nga disa arsyet përse ata ikin.

Dhe kjo nuk më duket një tragjedi. Nuk ka politikan që t’i ketë rezistuar më shumë se 30 vjet një skene të pacipë politike si kjo e Shqipërisë. Këmbëngulja për të vazhduar më tej, është ndoshta keqkuptimi tij me historinë.

Por unë mund të dal në shesh qoftë dhe për një hall njerëzor të qytetarit Ilir Meta. Nuk më vjen turp nga kjo gjë.

Por kjo hipokrizia kolektive, e të gjithë njerëzve që duan të duken të rëndësishëm në këtë vend në mitingun e Ilir Metës, por që distancohen nga Ilir Meta dhe solidarizohen me Kushtetutën, është një komedi publike e paparë ndonjëherë.

Kushtetuta në Shqipëri nuk është e rrezikuar nga mos zbatimi. Ajo është e rrezikuar nga ndryshimet që e kanë bërë atë një institucion që nuk garanton më të gjitha liritë tona. Kur u ndryshua Kushtetuta nuk u ngrit askush. Ndryshimet e fundit të saj janë bërë me 140 vota në Parlament.

Ne i kemi pranuar ato ndryshime. Me heshtjen tonë, me konformizmin por dhe pafuqinë tonë. I fundit që ka udhëhequr ato ndryshime është Ilir Meta. Tani është penduar dhe do Kushtetutën e vitit 1998, por s’ka fuqi ta rikthejë.

Tani ai ka probleme me historinë e tij në politikë, me dështimin e tij me LSI dhe aleancat politike dhe nervozizmin nga loja e mbyllur e opozitës së Sali Berishës.

Por nuk i ka faj Kushtetuta. As atyre që duan të dalin në shesh më 2 mars nuk u ka faj Kushtetuta. Ata ose duhet të dalin për hallin e Ilir Metës, ose më mire të rrinë në shtëpi, e mos ta fyejnë Ilir Metën, duke i thënë, “nuk dalim për ty, por për Kushtetutën”.

Kushtetuta jonë është ndryshuar më 2008 me konsensus dhe më 2016 prapë me 140 vota. Ndryshimet janë shoqëruar me duartrokitje.

Lëreni këtë hipokrizinë për Kushtetutën. Nëse u vjen turp të mbështesni Ilir Metën, por u vjen frikë se u ka bërtitur Berisha, shkoni aty, po të paktën mos thoni që shkojmë për Kushtetutën. Shkoni për Ilir Metën se është shumë më njerëzore kur një njeri është në hall dhe ti i del në krah. Se kjo që dhe i del në krah dhe i thua “nuk vij për ty”, është mund i shkuar dëm. Nuk ua di për nder as Ilir Meta dhe natyrisht as Kushtetuta.

Komento

Komente

  • Ver Lkapa: 28/02/2020 23:15

    Une shkoj me 2 Mars per Moniken

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?