Itali- Prokuroria italiane zbardh detaje nga aktiviteti kriminal i 44-vjeçarit shqiptar të arrestuar disa ditë më parë (17 Shkurt) në Shqipëri, me qëllime ekstradimi.
Bëhet fjalë për Ilir Zotaj, që mbante edhe identitetin e dytë si Zio Bushi, banues në Tiranë.
Gjykata e Perugia kishte dhënë ndaj tij dënimin me 5,5 vite burgim për trafik droge dhe organizatë kriminale.
Por ajo që bie në sy sipas raportimit edhe nga media e vendit fqinj, është fakti se për çdo dërgesë kokaine që hynte në portet e Europës, shqiptari trafikonte 30 kilogramë drejt Parmës dhe që shpërndahej nëpër Itali. Hetuesit e konsiderojnë atë edhe si bosin e organizatës kriminale të goditur.
Lidhjet e tij ishin me kartelet që drejtonin narkotrafikun në portet e Belgjikës apo Anglisë dhe prej andej kryente financimin për dërgesën që ishte e destinuar në Itali.
Prokuroria ka faktuar episode të viteve 2008-2010, që u bënë shkak edhe për dënimin e tij nga drejtësia.
Organizata e goditur në atë kohë përbëhej nga 11 anëtarë të dyshuar, pjesa më e madhe bashkëatdhetarë të 44-vjeçarit, i cili arriti të arratisej. Pikërisht pas 11 vitesh kërkimi ai është vënë në pranga në Tiranë, me qëllim ekstradimin, pas hetimeve të SDI-së e Prokurorit të Përgjithshëm të Perugias, në bashkëpunim me Interpolin e Romës.
“Organizata kriminale, aktive midis viteve 2008 dhe 2010, kishte krijuar kontakte me bashkëpunëtorë, banues në Belgjikë, Britani të Madhe dhe Shqipëri, duke arritur të kontrabandonte në Itali mbi 30 kilogramë kokainë. Droga, e blerë jashtë vendit, më pas shitej në qytetet Perugia, Romë, Melara, Alba Adriatica, Parma, Ancona, Brescia, Teramo, Erbusco dhe Chieti. Shumat e parave të marra nga aktivitetet e paligjshme janë transferuar menjëherë në Shqipëri”, shkruan media.
Zotaj gjurmohej prej gati dy vitesh, por kishte arritur të fshihej mirë, teksa fillimisht ishte zhvendosur në Hungari dhe më pas në qytetet Hagen në Gjermani dhe në fund në Tiranë, Shqipëri.
Pasi të kenë përfunduar procedurat formale, 44-vjeçari do të ekstradohet drejt Italisë, ku do t'i duhet të vuajë dënimin me 5 vjet e 6 muaj burg.
Komente
