TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrezuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit. Padia e 1/5 së deputetëve të opozitës është rrëzuar sot me shumicë votash nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetët demokratë kishin kërkuar në Kushtetuese shfuqizimin e ligjit dhe vendimeve të qeverisë për projektin “Marina & Jahtet e Durrësit”, me argumentin se janë në shkelje të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në argumentimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se 4 VKM e marra nga Këshilli i Ministrave përbëjnë akte individuale dhe, si të tilla, nuk mund të shqyrtohen në këtë gjykatë në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Opozita ngriti një sërë pretendimesh për shkelje të Kushtetutës dhe interesit publik, duke argumentuar se projekti i Durrësit dëmton trashëgiminë kulturore, cenon transparencën dhe krijon një skemë të privilegjuar për investitorin strategjik.
Gjykata vendosi të mos shqyrtojë një pjesë të këtyre pretendimeve, me argumentin se ato nuk ishin mbështetur në argumente të qarta kushtetuese. Konkretisht, ajo rrëzoi pretendimet për cenimin e:
Gjykata shqyrtoi në themel dy çështje kryesore:
1- Cenimin e parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore
Opozita në padinë e saj ishte ndalur tek neni 10.6 i Marrëveshjes Kuadër, i cili parashikon që hapësirat publike të krijuara nga projekti të menaxhohen nga investitori strategjik. Opozita e cilësoi këtë si shkelje të parimeve të decentralizimit dhe autonomisë vendore.
Gjykata arriti në përfundimin se menaxhimi nga investitori është vetëm një mundësi, jo një detyrim, dhe se zbatimi i tij mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor. Kjo do të thotë se Bashkia Durrës ka të drejtën të vendosë vetë nëse do t’ia kalojë këtë përgjegjësi investitorit strategjik apo jo.
2- Cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit
Një tjetër pretendim i shqyrtuar në themel ishte përjashtimi i investitorit strategjik nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe detyrimi për strehim social. Opozita e konsideroi këtë si krijim të një avantazhi konkurrues të padrejtë.
Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në bazë të argumenteve të mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës së opozitës. Kjo është hera e dytë që Kushtetuesja rrëzon opozitën për Portin Turistik të Durrësit, pas një padie të rrëzuar në muajin qershor 2023.
Memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Portit të Durrësit u nënshkrua më 10 gusht 2022 në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit me famë botërore Muhammed Alabbar. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.
Çfarë parashikon projekti?
Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi, i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra. Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi € 595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro. Marrëveshja ka një jetgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgajt 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitoi gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit. Parashikohen 12 000 të punësuar.
Njoftimi i plotë
Në datën 21 shkurt 2025 Gjykata Kushtetuese përfundoi shqyrtimin e çështjes me kërkues jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të Kuvendit me objekt:
1.Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
2.Shfuqizimi i VKM-së nr. 861, datë 29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, të ndryshuar me tre VKM të tjera ”.
Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.
Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
•identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;
•nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);
•së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;
•nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;
•Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BE-së, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;
•parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,
nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:
1.parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022 (objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;
2.lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).
Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Komente

Edhe kjo nuk kish ndodhur! Gjythata pushteromese aktet normative te qeverise i tranvestiton ne imdividuhale. E demek jashte kompetences. Ose me shkoqur, VKM ndonese nen ligjin e kushtetuten nga fuqia qendrojme supremisht siper tyre- ato jane jashte shqyrtimit kushtaromes… shkerdhatokraci e quajti i madhi Dritero Agolli sesi nje buf gjirizi shef ate te kenetes. Cemer do ti vinte valle sot???
Përgjigju