TIRANË- Për herë të dytë, ambientalisti Sazan Guri së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për të shfuqizuar ligjin për dhënien me koncesion të parkut kombëtar të Butrintit.
Ata thanë se çështja e Butrintit ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar.
“Kjo Akademi u kthye nga Kushtetuesja, një anëtar i vetëm i saj, ku argumentohej se ne nuk plotësonim kushtin, arsye personale. Gjoja se akademisë nuk i prekeshin interesa personale. Çështjen e Butrintit ne duam ta shfuqizojmë si ligj. Duam që Butrinti ti shërbejë popullit shqiptar, por jo si me qenë i shtetit fqinj. Kemi plotësuar për të qenë legjitim. Jemi 100%” tha ambientalisti Sazan Guri.
“Është një çështje shumë e gjerë, që ka të bëje me sovranitetin kulturor të Shqipërisë. Ka të bëje me mbrojtjen e identitetit, trashëgiminë tonë kulturore. Butrinti prandaj merr rëndësi sepse ka të bëje me identitetin tonë. Sa e sa çështje tjera në gjykata që i përkasin identitetit, mjedisit nuk gjejnë zgjidhje. Interesi publik nuk ju përket vetëm forcave publike, por të gjithë qytetareve shqiptarë”, tregoi një përfaqësues nga shoqëria civile.
Mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, para disa muajsh kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti.
Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.