Komunitetet shqiptare në Greqi dhe Itali për herë të parë në historinë e Diasporë së re do të kenë oficerë koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik.
Propozimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave parashikon vendosjen e katër oficerëve koordinues të cilët do të merren me çështjet e Diasporës shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë.
Oficerët koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare emërohen nga ministri përgjegjës për Punët e Jashtme pas bashkëpropozimit të ministrit përgjegjës të fushës ( kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë) që do të mbulojë oficeri dhe ministrit përgjegjës për Diasporën. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave oficerët koordinues të Diasporës mund të përzgjidhen edhe nga jashtë Shërbimit të Jashtëm, por ata duhet të zotërojnë njohuri dhe ekspertizë të spikatur në fushën e arsimit, të drejtësisë dhe të nxitjes së investimeve.
Kryeministri dhe Ministri i për Evropën dhe Punët e jashtme, Edi Rama ka firmosur emërimin e katër emrave, përkatësisht Aurela Konduri, Selanik, Joneda Dodaj, Athinë, Luljeta Cobanaj, Milano dhe Edmond Kumarakun, Romë të cilët do të ushtrojnë detyrën e oficerit koordinues për Diasporën.
Oficerët koordinues do të ushtrojnë funksionin e tyre sipas fushave të përcaktuara si: zhvillimi i marrëdhënieve me komunitetet shqiptare në shtetin pritës, kjo në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimi me mësuesit e programeve plotësuese të gjuhës e të kulturës shqiptare në bashkëpunim me Qendrën e Botimit të Diasporës, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës si dhe identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në shtetin pritës në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për drejtësinë.
Për të mësuar më shumë mund të lexoni revistën informative: https://online.fliphtml5.com/wpfxe/syzo/#p=1