Për herë të parë, Festivali i 59-t i Këngës, ‘del’ jashtë sallës. Pali Kuke: Është i barasvlershëm me Festivalin XI

6 Nëntor 2020, 15:58| Përditesimi: 6 Nëntor 2020, 16:52

  • Share

Si rrallëherë në historinë 59-vjeçare të Festivalit të Këngës së Radio Televizionit Publik Shqiptar, edicioni i sivjetmë për shkak të pandemisë Covid 19, do të zhvillohet tek kolonat në varësi të motit nga data 10 deri në 25 dhjetor. Organizatorët e festivalit të Këngës, Martin Leka, regjisori Pali Kuke dhe kompozitori Sokol Marsi rrëfejnë detajet.

 “Koha që po jetojmë na kufizon, që Festivali i Këngës të jetë krejt ndryshe, aq sa mund të marrë dhe emrin ‘festivali i pazakontë apo i pandemisë’. Regjisor i festivalit është Pali Kuke, Sokol Marsi drejtor muzikor, udhëheqësi artistik Adrian Hila, festivalin do ta prezantojë Jonida Vokshi dhe Blendi Sala, i cili do të bëjë edhe skenarin e festivalit”.

 “Ky institucion vendosi të bëjë festivalin, se mendoi që është institucion, i cili duhet mbrojtur dhe në kohë murtaje. E gjithë atmosfera është shumë e rëndësishme. Do të jetë mbase i barasvlershëm me Festivalin XI. Ky festival nuk u ndërpre as në ‘97-n. Besoj se qenia inteligjente ‘do ta shqyejë’ këtë këllëf ku e ka zhyt pandemia. Me dashurinë për t’i trajtuar secilin nga artistët në mënyrë të barabartë, do të tentojmë të jemi live, por nuk do të rikthehemi dy herë për një këngë. Janë 26 këngë, që do të dalin në natën e parë. Në natën e dytë do të vini në një frymë tjetër. Në skenë nuk duhet të performojnë më shumë se 6 veta”, shprehet regjisori Pali Kuke.

Nëse një prej artistëve do të preket nga COVID 19 do të zëvendësohet nga artisti pasardhës, ndërsa votimi i jurisë që do të përzgjedhë këngën fituese, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2021, do të jetë transparent.

 “Juria do të jetë vetëm me anëtarë shqiptarë, që do të votojnë në mënyrë transparente. Do të jenë njohës të mirë të këngës dhe tekstit. Nën shembullin e jurisë që përzgjodhi 26 këngët në RTSH do të jetë edhe juria. Ndërsa, buxheti do të jetë rreth 100 mln lekë të vjetra. Por kjo nuk do të cenojë aspak cilësinë e këngës. Mund ta bënim dhe më lirë, por mendoj se nuk duhet të prishim traditën, se jemi në prag të një jubileu”, shprehet Leka.

Mungesën e emrave të njohur të këngëtarëve të traditës në këtë garë Leka e shpjegon kështu:

“Kemi qenë të rinj, edhe unë jam bërë i vjetër, ashtu sikundër të gjithë këta që shihni këtu janë këngëtarë edhe kompozitorë, që do të bëjnë emër të madh në të ardhmen. Refuzoj që t’i ndaj në të rinj edhe të vjetër. Jam shumë i kënaqur në këtë përzgjedhje, pasi ju përmendët Manjola Nallbanin, por ja ku është përballë edhe Era Rusi”, thotë Leka.

Komisioni që ka përzgjedhë emrat që do të garojnë në këtë festival përbëhet nga artistët shqiptarë, këngëtaret Alma Bektashi, Jonida Maliqi dhe Eugent Bushpepa, poeti Agim Doçi dhe kompozitori Klodian Qafoku.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?