E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Drita Gjongecaj, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara, ku foli për një lajm fantastik që vjen nga komuniteti shqiptar në New York. Për herë të parë në historinë e këtij qyteti të madh dhe shumëkulturor, gjuha shqipe do të bëhet pjesë zyrtare e një programi dygjuhësh në një shkollë publike. Një arritje që mbart me vete shumë më tepër se sa thjesht mësimin e një gjuhe, është një gur themeli për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore për brezat e rinj.
“Duke filluar nga shtatori 2025, SP 108 Philip J. Abinanti, me vendndodhje në Bronx, do të iniciojë një kurrikul dygjuhësh shqip-anglisht të krijuar posaçërisht për nxënësit e kopshteve”, tha gjatë intervistës Drita Gjongecaj, një ndër arkitektet e nismës të shumëpritur nga prindërit në NY.
Ky program pionier përfaqëson një arritje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke u ofruar nxënësve të rinj mundësinë për të zotëruar gjuhën e tyre stërgjyshore dhe njëkohësisht anglishten në një mjedis arsimor.
“Regjistrimet për vitin akademik 2025-2026 për kopshtet tashmë janë të hapura. Nisma është vendosur të zgjerohet çdo vit, duke përfshirë nota shtesë në vitet në vijim”, shtoi ajo.
"Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm, një triumf për komunitetin shqiptar të Nju Jorkut", nënvizoi Gjongecaj, duke shtuar se mësimet do të zhvillohen pesë ditë në javë në të dyja gjuhët, të udhëhequra nga edukatorë të çertifikuar nga Departamenti i Arsimit i NYC.
Nisma është cilësuar nga Komuniteti Shqiptar, si një moment historik, pasi është mbrotje e gjuhës tonë, që përkthehet si një lëvizje për ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore përtej Oqeanit.
Komente
