Për herë të parë katër komedi të viteve 1920-’30 shohin dritën e skenës në ‘Metrofest’

1 Tetor 2019, 17:18| Përditesimi: 1 Tetor 2019, 17:28

  • Share

Edicioni i tretë i Festivalit Metrofest sjell për publikun katër komedi shqiptare. Janë vepra të shkruara gjatë viteve ’20-’30, që shohin dritën e skenës për herë të parë gjatë muajit tetor tek Teatri Metropol. “Kolltuku” komedi satirike, vepër e një autori të panjohur vetëm me iniciale P.K,, “Sot tetë ditë”, është një tjetër komedi me dy akte e autorit Josip Rela, “Karagjozi” e shkruar nga Skënder Guri “NjëMi në xhep” e autorit Hivzi Sulejmani. Regjisorja Sonila Kapidani flet për rëndësinë e këtij festivali, që në qendër ka veprën shqiptare, kësaj here komedinë. ““Kolltuku”, komedi satirike, vepër e një autori të panjohur vetëm me iniciale P.K, e shtypshkronjës së Vlorës, e gjetur në arkivën e Bibliotekës Kombëtare do të vihet në skenë në datën 3 tetor. Vepra bën fjalë për një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija. Kjo botë e re kërkon një sistem të ri shtetëror. Monarki apo republikë? Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Kush do të fitojë “kolltukun”?”, shprehet Kapidani.

Ndërsa, komedia “Sot tetë ditë”, që ka në qendër një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme, vjen nën regjinë e Elona Hysenit.

“Komedia “Sot tetë ditë”, me regji nga Elona Hyseni  bën fjalë për një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh”, thotë Hyseni.

““Karagjozi” është një tjetër komedi e shkruar nga Skënder Guri, me regji nga Rexhina Mollaymeri, ka premierë javën e tretë të muajit tetor. Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafaze përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshët për t’i ngrënë.

“NjëMi në xhep” është komedia e radhës e autorit Hivzi Sulejmani me regji nga Aldi Hysotoci. Komedia me tre akte bën fjalë për Skercon, një nëpunës shtetëror, që ka aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakord që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart.

Përpos komedive pjesë e “Metrofest 3” është edhe organizimi mbrëmjes poetike kushtuar krijimtarisë së Lasgush Poradecit me titull  “Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar” dhe koncerti "Imazhi Jazz i Gjon Milit". Shfaqjet do të prezantohen nga data 3 deri në datë 27 tetor në Teatrin e Metropolit.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?