Për herë të parë në Gjermani mbi 100.000 të infektuar në ditë

20 Janar 2022, 01:08| Përditesimi: 20 Janar 2022, 01:11

  • Share

Pavarësisht shifrave më të larta deri tani të të infektuarve me virusin Corona, ministri i Shëndetësisë thotë se kulmi i pandemisë ende nuk është arritur. Lauterbach apelon për vaksinimin e të gjithëve.

Sipas informacioneve zyrtare, për herë të parë në Gjermani janë infektuar me virusin Corona brenda 24 orësh më shumë se 100.000 persona. Instituti Robert Koch (RKI) kumtoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 112.323 raste të reja te infektimeve. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach thotë se as këto nuk janë shifrat më të larta dhe se kulmi i shfirave do të arrihet nga mesi i shkurtit në Gjermani.

RKI pohon se incidenca shtatëditore në Gjermani ka shënuar po ashtu një rekord me 584.4 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Një ditë më parë vlera ishte 553.2, ndërsa javën e kaluar ishte 407.5. Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach beson se shifrat nga RKI nuk janë në përputhje të plotë me shtrirjen aktuale të infektimeve në Gjermani. Incidenca aktuale ka të ngjarë të jetë "përafërsisht" dyfish më e lartë nga ajo e raportuar RKI, deklaroi ai për televizionin RTL.

 

Imuniteti i tufës?

Pavarësisht apelit të tij të sërishëm për t'u vaksinuar për të parandaluar një valë të re në vjeshtën e ardhshme, ministri i Shëndetësisë ndan mendimin e ekspertëve si virologu berlinez Christian Drosten se në një moment të gjithë do të infektohen. Por kjo nuk do të thotë se vaksinimi është i panevojshëm. "Nuk ka ende një imunitet bazë, veçanërisht për të moshuarit dhe të sëmurët”, paralajmëroi ministri, i cili për këtë arsye kërkoi një vendim të shpejtë të Bundestagut për futjen e vaksinimit të detyrueshëm.

Bundestagu do të merret me çështjen e vaksinimit me detyrim në janar, në një të ashtuquajtur debat orientues. Ndërsa propozimet konkrete do të diskutohen në grupet parlamentare në shkurt ose mars. Aktualisht 72,8 përqind e popullsisë së përgjithshme në Gjermani janë plotësisht të vaksinuar kundër Coronës, ndërsa 47,6 përqind janë vaksinuar me booster, pra me vaksinë përforcuese të tretë.

Pasojat e tjera të pandemisë

Sipas informacioneve të fundit nga RKI, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar deri tani më shumë se tetë milionë raste të infektimit që nga fillimi i pandemisë. Numri i përgjithshëm i vdekjeve të regjistruara nga virusi Corona në Gjermani është rritur në 116.081. Sipas të dhënave të RKI, prej filimit të pandemisë në Gjermani janë regjistruar si të shëruar nga virusi Corona rreth shtatë milionë njerëz.

Mjeku i kujdesit intensiv, Uwe Janssens bën thirrje për grumbullimin dhe sistemimin më të mirë të të gjitha të dhënave nga spitalet. "Ne nuk kemi të dhëna për dëmin kolateral të kësaj pandemie”, tha ai në një intervistë për revistën "Welt”. Për shembull, nuk ka të dhëna konkrete për operacionet që do të kryheshin në kohë pandemie dhe janë shtyrë dhe si kanë reflektuar ato në gjendjen e shëndetit të përgjithshëm në popull. Ndaj edhe nuk ka analiza se si do të reflektojë kjo në shëndetin e përgjithshëm në të ardhmen, mendon eksperti./DW

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?