UEFA ka konfirmuar se një katërshe arbitrash nga Shqipëria do vendosin drejtësi në grupet e Champions League. Kryesori Enea Jorgji dhe asistentët Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si edhe Florian Lata si arbitër i katërt, do të drejtojnë ndeshjen e Grupit G, Young Boys - Leipzig, që do të luhet më 19 shtator në Zvicër.
Enea Jorgji është promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA në kategorinë e parë, ndërsa me paraqitjet e tij në Europë, synon që shumë shpejt të arrijë në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që në fakt është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.
Diçka e tillë ndodh për herë të parë për arbitrat nga Shqipëria, me UEFA-n që i beson në turneun më të rëndësishëm, duke konfirmuar elbasanasin si gjyqtarin më të mirë në Shqipëri.