Për herë të parë në histori, një dron ukrainas ka arritur të rrëzojë një avion luftarak rus duke përdorur raketa tokë-ajër. Ky është një zhvillim i ri në mënyrën se si zhvillohet lufta dhe hap një kapitull të ri në betejat detare.
Në këtë rast bëhet fjalë për një dron detar ukrainas, i cili sipas informacioneve ka shkatërruar një avion rus Sukhoi 30, duke përdorur një raketë R-73. Piloti dhe navigatori i avionit, që është një mjet shumë i fuqishëm me dy motorë, thuhet se janë hedhur me parashutë nga karrigia e shpëtimit dhe janë gjallë. Lajmi u publikua fillimisht nga burime ruse jozyrtare, por të besueshme, si blogeri ushtarak Rybar, i cili është pritur disa herë nga presidenti Putin.
Më pas, inteligjenca ukrainase publikoi një video të përplasjes, ku suksesi i atribuohet një droni detar të quajtur Magura V5.
Përplasja e pazakontë mes një roboti detar dhe një avioni të drejtuar nga njeriu thuhet se ndodhi dje, rreth 50 kilometra larg nga Novorossiysk, një bazë detare dhe terminal nafte rus, që u sulmua nga një kombinim i dronëve fluturues, dronëve detarë dhe raketave me rreze të gjatë veprimi. Ky sulm ka shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe ka plagosur të paktën 50 persona, raporton La Repubblica
Ky është sulmi i parë ku janë përdorur në mënyrë të sinkronizuar tre lloje të ndryshme armësh ndaj një objektivi të vetëm — një taktikë që e vështirëson shumë mbrojtjen, sepse duhet të përballet njëkohësisht me disa kërcënime të ndryshme.
Duke qenë se Novorossiysk ndodhet në lindje të Krimesë, mendohet se sulmi mund të jetë kryer tërësisht nga anije pa ekuipazh: disa kanë goditur portin si silurë, të tjerat kanë lëshuar dronë ajrorë dhe raketa të fuqishme. Me fjalë të tjera, anijet me telekomandë e kanë zëvendësuar plotësisht flotën tradicionale, duke vepruar nga largësi të mëdha nga brigjet e Ukrainës.
Mendohet se avioni rus Sukhoi 30, i nisur nga një bazë në Krime, ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin, por është rrëzuar nga një anije pa ekuipazh e pajisur me raketën R-73 një armë e dizajnuar për beteja ajër-ajër, që ukrainasit e kanë përshtatur si mbrojtje kundërajrore.
Në të kaluarën, një dron detar ukrainas i pajisur me të njëjtën raketë ka shkatërruar dy helikopterë rusë Mi-8. Por kjo është hera e parë që arrihet të rrëzohet një avion luftarak i avancuar, si Sukhoi 30, i cili është shumë i shpejtë dhe manovrues, me një shpejtësi mbi 2.000 km/h.
Deri në vjeshtën e vitit 2022, dronët detarë ishin vetëm prototipe eksperimentale dhe nuk ishin përdorur në luftime reale. Që nga ajo kohë, me mbështetje teknike britanike dhe financim amerikan, Ukraina ka zhvilluar modele funksionale për të sulmuar nga deti anije, porte dhe infrastrukturë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si bëhet lufta detare.
Komente
