Bota

Për herë të parë në historinë e Bostonit një grua me ngjyrë pritet të jetë kryebashkiake

14 Shtator 2021, 22:55| Përditesimi: 14 Shtator 2021, 22:57

  • Share

Katër gra, të gjitha me ngjyrë, janë kandidatet kryesore në garën për kryetar të bashkisë së qytetit të Bostonit, një kthesë e jashtëzakonshme e ngjarjeve për një qytet që ka zgjedhur vetëm burra të bardhë në atë post që nga themelimi i atij qyteti në vitin 1822.

Votuesit të martën po zgjedhin dy kandidatet kryesore mes tetë kadidatëve. Sondazhet lënë të kuptohet se në krye të garës janë vetëm katër gra me ngjyrë. Dy fitueset do të përballen në zgjedhjet për postin e kryebashkiakes me 2 nëntor.

Aziatiko-amerikania Michelle Wu gëzon një avantazh me rreth 31% të votave, sipas anketës nga Universiteti Suffolk të publikuar javën e kaluar. Ajo ka qënë këshilltare në bashki.

Kryebashkiakia në detyrë Kim Janey pason me një mbështetje prej 20%. Në vend të tretë rënditet këshilltarja e bashkisë Anissa Essaibi George me 19% dhe në vend të katërt ndodhet këshiltarja e bashkisë Andrea Campbell me një mbështetje prej 18%, sipas anketës.

Zonja Joney mori postin në muajin mars kur ish-kryebashkiaku Martin Walsh la detyrën për të marrë postin e Sekretarit amerikan të Punës. Zonjat Janey dhe Campbell janë që të dyja afrikano-amerikane.

Zonja Anissa Essaibi George është e bija e një tuniziano-arabi dhe nëna e saj është polake. Ajo identifikohet si grua me ngjyrë. Fleta e votimit ka edhe katër kadidatë të tjerë, tre për të cilëve janë aktivë, por asnjë prej tyre nuk gëzon më shumë se 3% mbështetje, sipas anketës.

Moment historik

“2 nëntori, dita përfundimtare e zgjedhjeve, do të futet në histori”, tha David Paleologos, drejtor i Qendrës për Hulumtime Politike në Univestitetin e Suffolk-ut. “Do të jetë një ditë historike sepse dy kandidate do të jenë gra me ngjyrë.”

Ndërsa përbën një ngjarje historike për Bostonin, kandidatet që konkurrojnë për të drejtuar bashkinë janë në fakt një reflektim i një qyteti që ka pësuar ndryshime të rëndësishme në larminë racore gjatë dekadave të fundit.

Prej shumë kohësh me një shumicë popullsie të bardhë, Bostoni aktualisht ka një larmi të madhe pakicash. Afrikano-amerikanët dhe hispanikët përbëjnë 19% të popullsisë dhe aziatikët 11%. Ndërsa popullsia e bardhë përbën 45% të banorëve të qytetit.

Sinjali për ndryshime politike u shfaq në horizont në vitin 2018 kur afrikano-amerikania Ayanna Pressley, anëtare e këshillit të qytetit, mundi ligjvënësin me 10 mandate Mike Capuano për të përfaqësuar në Kongresin amerikan distriktin e shtatë të shtetit të Masaçusets.

Historia e trazirave racore

Bostoni, qyteti i 24-të më i madhi në Shtetet e Bashkuara, ka një histori komplekse racore dhe në disa raste të trazuar. Në vitet para Luftës Civile, qyteti ishte vatër e një lëvizjeje që kërkonte dhënien fund të skllavërisë. Gjatë luftës atje u formua Regjimenti 54 i Këmbësorisë së Masaçusets, me të gjithë pjestarët afrikano-amerikanë.

Por qyteti ka shënuar edhe ngjarje të rënda. Në vitet 1970-1980, përpjekjet për integrimin e shkollave të ndara thellësisht në bazë racore, u shoqëruan me protesta të dhunshme nga popullsia e bardhë e Bostonit të cilët kundërshtonin që fëmijët afrikano-amerikanë të arsimoheshin në shkollat në lagjet e tyre.

Një prej kandidateve, kryebashkiakja në detyrë Janey, i përjetoi ato trazira në fëmijëri. Gjatë një tubimi ditë më parë ajo rikujtoi ato ngjarje, ndërsa turma e njerëzve qëllonin me gurë ndaj autobusit të shkollës ku gjendej ajo. Ajo tha se prania e saj si ushtruese detyrës së kryebashkiakes dhe si kandidate për kryebashkiaje janë “dëshmi e përparimit të këtij qyteti.”/VOA

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?