Kombëtarja U-17 e futbollit

Sport

Për herë të parë në Shqipëri, nis sot Evropiani U-17! Shqipëria sfidon Portugalinë, Gjermania pret Francën në Elbasan

19 Maj, 12:50| Përditesimi: 19 Maj, 12:55

  • Share

Do të nisë sot në Arenën Kombëtare në Tiranë kampionati evropian U-17 që për herë të parë do të mbahet në Shqipëri. 8 skuadra kombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë si vend organizator, janë të ndara në 2 grupe për të përcaktuar rrugëtimin deri në finalen e 1 qershorit në Tiranë. Skuadrat do të luajnë në 4 stadiume, kur përveç Arenës Kombëtare, do të ketë ndeshje në Elbasan Arena, Egnatia Arena dhe Niko Dovana të Durrësit.

Si vend organizator, e para që do të zbresë në fushë është Shqipëria. 17-vjeçarët e drejtuar nga Andrea Tedesco, në orën 18:00 në Arenën Kombëtare do të presin Portugalinë në prezencën e rreth 8 mijë tifozëve.

“Jemi shumë të lumtur që finalet e këtij kampionati evropian do t’i luajmë në shtëpinë tonë, Shqipëri. Është një shans i jashtëzakonshëm dhe jemi përgatitur për ti luajtur këto ndeshje në mënyrën më të mirë. Mendoj se futbolli, por sporti në përgjithësi, është bërë për të tilla momente,”-u shpreh Andrea Tedesco, trajner i kombëtares U-17.

Trajneri Andrea Tedesco pas seleksionimeve ka zgjedhur të përfaqësohet me 20 futbollistë kuqezinj, ndërsa në ndeshjen e parë që pritet të luhet me prezencën e 8 mijë tifozëve, do të ketë përballë favoritët e kompeticionit.

“Do të luajmë kundër Portugalisë që e ka fituar 6 herë këtë kompeticion. E dimë që janë shumë të mirë, por ne do të luajmë pa kursyer asgjë. Lojtarët e rinj bëjnë gjithmonë surpriza, qoftë për mirë ose jo për mirë. Megjithatë te futbolli i të rinjve nuk është gjithmonë i rëndësishëm rezultati, por edhe paraqitja që bëjnë në fushë,”-tha Andrea Tedesco, trajner i kombëtares U-17.

Rivalët e tjerë të Shqipërisë në grup janë Franca dhe Gjermania, një ndeshje që luhet po sonte, por në orën 20:30 në stadiumin Elbasan Arena. Në grupin B bëjnë pjesë Italia, Çekia, Belgjika dhe Anglia.

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen 'Partizani', a do të ketë drejtësi?