Presidenti i “Albanian Roots”, Marko Kepi, i cili është edhe organizator i përvitshëm i paradës së shqiptarëve në Nju Jork ka folur për Report Tv, lidhur me këtë ngjarje që do të mbahet për herë të parë në Tiranë me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë. Kepi tha se janë mbledhur mijëra shqiptarë si nga Nju Jorku, por edhe nga trevat e tjera, ndërsa tha se organizmi i Paradës së shqiptarëve në Tiranë është një ëndërr që tashmë u realizua.
Marko Kepi u shpreh se synimi është që kjo paradë të zhvillohet edhe në bashki të tjera, ndërsa me shaka tha se shpreson që sot të bëhen xheloz kryebashkiakët e tjerë dhe të kërkojnë ta organizojnë si në Prishtinë, Shkup, Ulqin apo edhe në Luginën e Preshevës.
Për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi, Kepi tha se ky është një event që i bashkon shqiptarët dhe se kështu po realizojnë ëndrrat e të parëve tanë.
"Jemi shumë të lumtur. Ëndrra jonë u realizua dhe ku ka më bukur se në Tiranë. Dëshira është ti bëjmë xheloz kryetarët e bashkive tjera që ta kërkojë vet. Shpresoj ta kemi edhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin, lugina e Preshevës. Mendo si do ndiheshin shqiptarët në Luginën e Preshevës, do japim të gjithë bashkë një shpresë se nuk i kemi harru dhe nuk i lëmë vetëm. Është një event që i bashkon shqiptarët. Jam lumtur se këtu në Tiranë mes shiut kemi mijëra vetë popull që na presin.
Për ne tregon se jemi të lirë, u munduan të na pushtojnë, na përçanë disa shtete po nuk na përçanë zemrat, pavarësisht kësaj. Shqiptarët s’kanë qenë ma mirë se jemi sot kemi shanset të realizojmë ëndrrat e të parëve tonë. Kemi mijëra shqiptarë, arbëreshe, nga Nju Jorku", tha Kepi për Report Tv.
Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Stamboll, Bora Zukali tha për Report Tv se kjo është një ditë e veçantë për komunitetin shqiptar.
"Për komunitetin shqiptar që jetojmë në Turqi është ditë e veçantë, u urojmë festën e flamurit. Ndihemi krenar me vëllezërit nga Amerika, me Marko Kepin. Një paradë e veçantë sepse shumë njerëz kishin dëshirë që të merrnin pjesë në këtë mbledhje. Të gjithë familjarët flasin shqip, për pushime, samitin e diasporës vijmë këtu e marrim pjesë. Komuniteti shqiptar në Turqi ndihet 100% shqiptar, po vazhdojmë për të lartësuar emrin shqiptar në Turqi dhe jemi krenar", u shpreh Zukali.
Prej 15 vitesh ky organizim i shoqatës ‘Rrënjët Shqiptare’ ka veshur Nju Jorkun me petkun e flamurit dhe ka shërbyer për të dhënë mesazhe bashkimi për shqiptarët, ndërsa për herë të parë mbahet edhe në vendin tonë.
Lajmi kryesor:
'JEMI NJË!' Parada Kuqezi në Tiranë, 200 delegacione nga trojet shqiptare dhe arbëreshe në bulevard
SI.E./ReportTv.al