Për herë të parë pas 14 muaj rriten lehtë eksportet! Bumi turistik po shton importin e produkteve ushqimore

20 Maj, 21:52| Përditesimi: 20 Maj, 23:07

  • Share

Tregtia e mallrave është përmirësuar lehtë në muajin e kaluar. Instituti i Statistikave raporton që për herë të parë pas 14 muajsh, eksportet e mallrave u rritën me 1.8% në raport me vitin e kaluar, dhe kapën vlerën 35 miliardë lekë. Ndikimin kryesor në këtë përmirësim e kanë dhënë eksportet e energjisë dhe të produkteve ushqimore.

Ndërsa importet në prill janë rritur me 0.6%, dhe në total nga jashtë në muajin e kaluar janë blerë mallra me vlerë 75 miliardë lekë.

Pavarësisht këtij përmirësimi të tregtisë në muajin prill, bilanci tregtar në katërmujor vijon të jetë negativ. Sipas të dhënave nga janari deri në prill janë shitur jashtë vendit 130 mld lekë mallra, ose 17.1% më pak se vjet. Vendi ka shitur 7.7% më pak energji, 5.1% më pak tekstile e këpucë dhe 2.9% më pak materiale ndërtimi.

Ndërkohë që janë importuar mallra me vlerë 284 mld lekë, duke u rritur me vetëm 0,4 %. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, thotë INSTAT janë grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit me 3.9% dhe importi i produkteve ushqimore me 1.4%.

Ajo që vihet re nga të dhënat e raportuara, është rritja e importeve të produkteve ushqimore, kjo për shkak edhe të bumit turistik për shkak të rritjes së kërkesës së konsum.

Ky fakt është evidentuar edhe nga Konfindustria, e cila thotë se fuqizimi i importit po dëmton rëndë industrinë dhe prodhimin vendas.

“Rritja e fuqishme e importeve ushqimore dhe bujqësore ka ulur ndjeshëm edhe përfitimet e ekonomisë kombëtare nga sektori i turizmit”, thotë Konfindustria.

Në katër muaj vendi ka blerë nga jashtë mallra ushqimor me vlerë 47.3 miliardë lekë, nga 43.4 miliardë lekë që u importuan vjet, ndërkohë që ka shitur 17.2 miliardë lekë produkte ushqimore e bujqësore nga janari deri në muajin prill.

EKSPORTET E MALLRAVE
Prill 2023        33.972 mln lekë
Prill 2024        34.569 mln lekë
Rritja               +597 mln lekë
EKSPORTET E MALLRAVE
Janar-Prill 2023        156.497 mln lekë
Janar-Prill 2024        129.785 mln lekë
Rritja                         -26.712 mln lekë
IMPORTI I PRODUKTEVE USHQIMORE
Janar Prill 2023     43.446 mln lekë
Janar-Prill 2024     47.342 mln lekë
Rritja                      +3,896 mln lekë

 

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 28/05/2024 03:50

    Importi do rritet se prodhimi i vendit po bie, fuqia puntore drejt greminës, ju rrofshin turistët.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?