Për herë të parë një rrjet rinor Shqiptar anëtarësohet në Forumin Rinor Evropian me statusin e Anëtarit Observues, që i jep Kongresit Rinor Kombëtar të drejtën të përfaqësohet në Asamble dhe të marrë pjesë në të gjitha grupet e punës së Forumit.
Sot, gjatë ditës së tretë të Asamblesë së Përgjigjshme të Forumit Rinor Evropian, e cila mbahet në Tiranë në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, Kongresi Rinor Kombëtar u votua nga anëtarësia dhe është tashmë zyrtarisht pjesë e Forumit Rinor Evropian.
Pas aplikimit të nisur në fillim të këtij viti nga Kongresi Rinor Kombëtar, komisioni i posatshëm në Forumi Rinor Evropian ka kryer gjithë procesin e vlerësimit pjesë e të cilit ka qenë dhe vizita vlerësuese e tyre në Tiranë në Korrik 2022. Forumi Rinor Evropian zhvilloi një takim me Bordin e Kongresit Rinor Kombëtar, organizatat e asamblesë, stafin, partnerët si Bashkia Tiranë, AKR, FES, KAS, etj ku diskutoi me ta bashkëpunimin ndër vite me Kongresin Rinor Kombëtar.
Kjo është një arritje për të gjithë organizatat anëtare të Kongresit Rinor Kombëtar të cilat përvepëç kontributit që kanë dhënë e japin, tani zëri i tyre do të ketë një forcë më të madhe në përfaqësimin në nivel europian duke qenë pjesë e platformës më të madhe në botë të politikave rinore.
Anëtarësimi si anëtar observues është një rezultat tjetër që i dedikohet dhe rritjes së Kongresit Rinor Kombëtar ndër vite dhe kontributit të tij në përmirësimin e politikave rinore në Shqipëri. Forumi Rinor Evropian (European Youth Forum) është platforma më e madhe e politikave rinore në botë me 100 organizata anëtare në 41 vende të botës.