Kultura

“Për hir të dashurisë”, shfaqet dokumentari për gratë ruse të martuara në Shqipëri

25 Shkurt, 14:31| Përditesimi: 25 Shkurt, 15:37

  • Share

Ilir Myteveli ishte katër vjeç kur mamaja e tij, Valentina mori motrën e tij të madhe dhe u nis drejt vendlindjes së saj, Rusisë. Ai e përcolli në aeroport me tre karafila të kuq dhe ajo i premtoi që do të kthehej shpejt, por kjo nuk ndodhi. Në vitin 1961 Shqipëria nën regjimin e Enver Hoxhës shkëputi marrëdhëniet me Ish-Bashkimin Sovjetik dhe mbylli kufijtë e çdo mënyrë komunikimi mes dy vendeve. Vajzat e Ilirit, Valentina dhe Katerina, tregojnë dramën e të atit të rritur pa nënë dhe me ëndrrën për ta ritakuar sërish, duke dëgjuar radion në rusisht e duke parë avionët në qiell.

“Babai është rritur dhe gjithmonë me dashurinë për nënën dhe me mungesën e saj përditë...me pritjen e saj, sepse e dinte gjithmonë që ishte gjallë, por nuk ka pasur mundësinë e komunikimit me të, as me letra, as nëpërmjet telefonit, as për t’u takuar.”, - tregon Valentina Myteveli.

Historia e Ilirit vjen e rrëfyer bashkë me historinë e grave të tjera ruse, që në vitet 1950-1960 u martuan me djemtë shqiptarë, që studionin në Rusi në atë kohë, në dokumentarin “Për hir të Dashurisë”, prodhim i fondacionit “Kujto.al” me skenar të gazetares Blerina Gjoka.

“Janë histori dashurie që politika pastaj, shteti u fut në mes dhe i shkatërroi. Kur po bëja kërkime për të gjetur dëshmitarë dhe materiale, Spiro Mëhilli më ka ndihmuar shumë. Aty kuptova se përmasa e dramës së familjeve ruse në Shqipëri ishte shumë e madhe...”, - thotë Gjoka.

Dokumentari sjell dëshmi të grave ruse që u burgosën dhe u përndoqën nga regjimi komunist vetëm sepse dashuruan burrat e tyre shqiptarë dhe qëndruan pranë familjeve të tyre.

Njëra prej tyre është Nina Pumo, e martuar me Muntaz Pumo kur ishin studentë në Moskë. Ajo nuk pranoi të largohej si dhjetra gra të tjera ruse, por ky vendim pati për të një çmim të madh. U arrestua dhe u dënua me 11 vjet burg me akuzën e agjitacion- propagandë dhe spiunazh.

 

“…Neve blinim sheqer, miell, vaj, domethënë i kërkonte mamaja këto ushqime që mundësisht t’i dërgonim dmth, t’i binim edhe ne i sillnim këto ushqime që lejoheshin. Aty nuk lejohej gjithçka, lejoheshin këto ushqimet bazë. Ajo merrte dmth këto ushqimet prej nesh dhe herën tjetër me këto ushqime ajo përgatiste biskotat që na i jepte neve mbrapsht për t’i ngrënë dmth, se ne ishim të uritur si ujqër të vegjël.”, - kujton i biri i Ninës, Misha Pumo.

Po ashtu dokumentari sjell dëshminë e Valentina Bucit e martuar me Pandi Bucin, pilot, i cili u arrestua vetëm sepse nuk pranoi të ndahej nga gruaja e tij ruse dhe vuajti burgjeve, kurse Valentina jetoi me frikën se do arrestohej një ditë.

“…. Kur shkonte mamaja në mëngjes më linte një copë letër mbi tavolinë dhe më thoshte; “Lamtumirë Elena! Kij kujdes motrën duhet të bëhesh e fortë.” Dmth këto ishin të përditshmet që mua m’i shkruante mamaja në letër. Dhe prisja orarin kur mbaronte punën dhe thesha do më kthehet apo s’do më kthehet?”, - sjell në mendje e bija e Valentinës, Elena.

Edhe Lutfi Shehu u martua me rusen Lilia Pavllovnën kur ishte student ushtarak në Letoni, po ajo u largua me djalin 2 vjeç në 1961 dhe ai e pa të birin vetëm pas 30 vitesh kur ra regjimi komunist.

Dokumentari pasqyron historitë e dashurisë të grave ruse në Shqipërinë e e viteve ’50-’60-të. Në të bëhen për herë të parë publike edhe dokumente të papublikuara më parë, siç është lista e grave ruse të martuara me burra shqiptarë gjatë viteve ’50-’60-të. “Për hir të dashurisë” është prezantuar mbrëmjen e së hënës në kuadër të 10 vjetorit të Ditëve të Kujtesës.

 

 

 

 

 

 

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    17 vite nga masakra e Gërdecit, a do ketë drejtësi?