Drejtori i klubit të Teutës deklaron se Granada, ekipi me të cilin shorti i Europa League e vendosi përballë në turin e dytë eliminator, ishte më i forti i mundshëm. Në intervistën për ‘Report TV’ Artan Shytaj shprehet se pavarësisht këtij fakti do të tentojnë shanset e tyre për kualifikim.
“Granda ishte kulmi i vështirsisë për një klub shqiptar. Është një ekip I jashtëzakonshëm sepse ka një vlerë 70 mln euro. Edhe në Spanjë është një ekip që mezi e mund Reali dhe Atletico Madrid, ndërsa Barcelonën e ka mposhtur 2-0. Kështu që jemi si Davidi me Golian që nuk kemi asgjë për të hummbur,”-thotë Shytaj.
Në harkun kohor të dy muajve Teuta mposhti për dy trofe Tiranën, Kupën dhe Superkupën, të zhvilluar të hënën. I pyetur nëse ‘djemtë e detit’ i kanë të lehta përballjet me bardheblutë kampionë të Superligës Shyti shprehet:
“Diferenca është bërë nga impenjimi në fushë, pse jo dhe nga përgatitja, serioziteti dhe nga taktika e lojës. Kupa dhe Superkupa prap nuk bëjnë sa kampionati. Kështu Tirana mbetet ekipi që ka patur më tepër rezultate këtë sezon.”
Më 12 shtator nis sezoni i ri i Superligës, por Liga Profesioniste thotë se kjo nuk do të ndodhi pa plotësimin e katër kushteve ekonomike nga qeveria. Si një nga anëtarët e ligës që përfaqëson Teutën Shytaj përgjigjet:
“Liga është inekzistence, sepse nuk ka përballuar asgjë nga hallet e futbollit. Është në bisht të zhvillimeve. Ka një pozicionim që duhet parë se si do zhvillohet për bojkotin, por e përsëris se nëse do të ishte për Ligën futbolli shqiptar do kishte vdekur prej kohësh.”