Ilir Meta dhe Sali Berisha

Për Lugatin që ndjell panik dhe Lubinë që i vjen nga pas

27 Gusht 2022, 11:14| Përditesimi: 27 Gusht 2022, 11:16

  • Share

Doli sërish Lugati për të vënë kujën se drejt Vlorës janë nisur anijet që do na ndotin detin dhe shëndetin. Këtë ia kishte thënë eksperti anonim, emrin e të cilit Lugati e mbajti sekret, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë.

Dy anijet që janë nisur drejt Shqipërisë janë kontraktuar nga qeveria shqiptare në kuadër të rritjet të sigurisë energjetike të vendit. Bota po përballet me një dimër që nuk i dihet sesi do të jetë. Energjia elektrike është lajtmotivi kryesor i shqetësimit të çdo qeverie në botë.

Në vendet përreth nesh kanë nisur kufizime energjetike, ose po bëhen thirrje për kursimin e saj. Thirrje të tilla, të padëgjuara për dekada me radhë, po bëhen edhe në vende të Evropës Perëndimore, Gjermani, Francë, etj.

Natyrisht që edhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim, sa kohë që kushtet atmosferike nuk dihet sesi do të jenë dhe agresioni rus në Ukrainë nuk dihet se sa do të zgjasë. Jemi përballur me një vit të thatë reshjesh, gjë që ka sjellë ulje të nivelit të ujërave në basenet e HEC-eve tona. Thatësira ka pllakosur në Evropë e më gjerë, aq sa janë tharë lumenj të pashtershëm.

Këto dy anije janë një frymëmarrje në kushtet kur çmimet e shitjes së energjisë elektrike në bursë kanë kapur majat. Por çmimet nuk janë e keqja më e madhe, sepse mirë apo keq paratë edhe gjenden. 

Ajo që nuk do të gjendet dot do të jetë vetë energjia elektrike, pasi shtetet e fuqishme do të përthithin çfarë tregu prodhon. Mund të ndodhë po ajo situatë si gjatë kulmit të pandemisë Covid-19, ku shtetet e vegjël u përballën me pamundësi furnizimi me vaksina, sepse ato i përlanë shtetet e mëdha.

Po çfarë bën Lugati i Shqipërisë? I bën thirrje njerëzve të ngrihen në protesta për të mos lejuar praninë e dy anijeve energji-prodhuese në Vlorë.

E sigurt që nuk e ka me shëndetin e popullit. Bëhet keq duke menduar që qeveria po gjen alternativa për të mos u gjendur përpara faktit të kryer ku të dorëzohet me duart përpjetë se nuk siguron dot energji elektrike. Në fakt, Lugatit, ajo situatë i intereson, sepse mungesa e elektricitetit prek të gjithë popullsinë kudo që ajo ndodhet dhe është faktor kryesor në dëmtimin e parametrave ekonomikë të vendit.

Por Lugati nuk e ka problemin vetëm me anijet. Edhe gjatë një vizite në qarkun Dibër, ku u fal në një teqe, u bëri thirrje dibranëve që të mos pranojnë ndërtimin e Skavicës. Sërish Lugati nuk pranon zhvillimin energjetik dhe arritjen e objektivit për ta bërë Shqipërinë të pavarur në furnizim prej shteteve të tjera në këtë fushë. Dihet tashmë që Skavica është HEC-i që do optimizojë rezervat ujore të tri HEC-eve të tjera, ku jo vetëm uji të mos derdhet kot si deri më sot, por të shmangen edhe përmbytjet masive të deridjeshme.

Besoj se çdokush i kujton pamjet e përmbytjes së viteve 2010 - 2011 që e kthyen për disa ditë Shkodrën në Venezia. E mbani mend edhe talljen e Lugatit kryeministër që ia vinte fajin “Hënës Blu”. E pra, ato përmbytje në aksin Shkodër - Lezhë, ndodhën për shkak të keqmenaxhimit të kaskadës hidrike të Drinit dhe reshjet e shumta rrezikuan sigurinë e digave. Prandaj u hapën portat dhe uji u derdh lum në këto qytete, banorët e dëmtuar të të cilëve Lugati nuk i dëmshpërbleu, por ia la peshqesh qeverisë pasardhëse.

Në fakt, Lugati do të mbahet mend edhe sesi shiti në grahmat e fundit të pushtetit të tij, 4 HEC-e fitimprurëse (Ulza e Shkopet në Veri dhe Bistrica 1 e 2 në Jug), sepse nuk kishte mundësi financiare të paguante rrogat e administratës publike. Po ashtu ai sabotoi për disa vjet edhe financimin gjerman të KfW-së për linjën e ndërlidhjes energjetike Shqipëri - Kosovë, aq sa pala gjermane desh e braktisi projektin, por fatmirësisht ndryshoi pushteti dhe ai projekt u zbatua me sukses.

Ky Lugat që kishte projekt butaforik për ta kthyer Shqipërinë në mini-superfuqi(!!!) të energjisë bërthamore në Ballkan, sot vë kujën për energjinë e gjelbër të Skavicës dhe për dy anijet që do qëndrojnë përkohësisht në gjirin e Vlorës, si garanci e shtuar në këtë prag dimri të paparashikueshëm.

Eh Lugat - Lugat, që mërzitesh pse qeveria di t’i paraprijë situatave të katastrofës energjetike. Je mësuar që të gjesh sebep për të përfituar nga situata problematike me qëllim që t’i shfrytëzosh për interesa të ngushta meskine, ngaqë je i vetëdijshëm që njerëzit nuk të ndjekin më për hallet personale.

Dhe kur energjia elektrike mungon, është një faktor i rëndësishëm që krijon pakënaqësi në popull. Jo vetëm tek njerëzit e thjeshtë, por edhe tek biznesi, sepse mungesa e saj rrit kostot, rrit inflacionin, rrit çmimet e për rrjedhojë, vetvetiu edhe njeriu më apolitik ndjen se duhet ta shfryjë diku dufin që i mblidhet në shpirt.

Është e habitshme që “ambientalisti” i vonuar Lugat, që edhe lumin turistik të vendlindjes së tij desh e thau për dhjetëra HEC-e jo produktive, sot i vjen keq për një ndotje të supozuar të gjirit të Vlorës. Dihet që garant për ato dy anije është bërë Banka Botërore, e cila i ka të shenjta efektet mjedisore.

Por Lugatit i intereson të krijojë mjegull me qëllim që të ngjiz ankth tek popullsia, si në Vlorë, ashtu dhe në Dibër. I interesojnë turmat e të pakënaqurve si mish për top për arritjen e synimeve të mbrapshta. Natyrisht, së bashku me Lubinë që i mban iso-n politike. 

Lugati dhe Lubia e dinë që nuk vijnë më në pushtet, sepse po të kishin edhe një fije shprese, nuk do mund të ishin assesi kundër zhvillimit të qëndrueshëm energjetik të vendit. 

Ai që pretendon pushtetin, i intereson t’i gjejë të zgjidhura problematikat me ndikim në ekonominë kombëtare. Ai që e sheh të pamundur pushtetin, dëshiron që të dëmtojë suksesin e palës tjetër nga halli se mos ajo fiton pikë në elektorat.

Lugati dhe Lubia e dinë fundin e tyre politik dhe me devizën: “Pas meje u bëftë hataja”, duan të marrin në greminë tërë Shqipërinë. Po le të kënaqen në banakun e konferencave bajate të shtypit, duke kërcënuar çdokënd me revolucione imagjinare shtatori, me shpresë se i heqin vetes frikën nga ndëshkimi shembullor që i pret nga dara e ligjit.

P.S. Shpjegim fjalësh.

Lugat: Figurë që përfytyrohej si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit.

Lubi: Figurë që përfytyrohej si një gjarpër keqbërës shumë i madh, me bisht të gjatë, me disa krerë dhe i pangopshëm, i ngjashëm me kuçedrën.

Çdo ngjashmëri e Lugatit dhe Lubisë me frymorë në fushën e politikës, është e rastësishme.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjoi: 27/08/2022 23:19

    Lubi dhe Lugat te dy jane nje mut i that.

    Përgjigju
  • Velo: 27/08/2022 12:13

    Thjeste t'u bllokohet pasuria dhe pastaj te tregojne burimin e tyre.

    Përgjigju
  • Isan: 27/08/2022 11:22

    Lugati dhe Lubia duhet të arrestohen një orë e më parë. SHBA duhet ta shpallë Metën NON GRATA po njësoj si Berisha. SPAK po vonohet shumë dhe po i lë të lirë 2 kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?