Periferi

Për një 2022… pa filtra!

8 Dhjetor 2021, 16:24| Përditesimi: 8 Dhjetor 2021, 16:27

  • Share

Mediat sociale kanë kapur prej vitesh “dobësinë” njerëzore për t’u dukur përherë e më bukur, përherë e më mirë. Për hir të së vërtetës, shumë kohë para tyre e kuptuan kirurgët plastikë, por që gjithësesi, nënshtrimi dhe modifikimi nën bisturi mbetet një operacion (apo dhjetëra të tillë), i dhimbshëm e i kushtueshëm.

Filtrat mbeten një mjet i shpejtë, i lehtë, pa kosto fizike dhe monetare, për t’u dukur më të bukur nga sa jemi në të vërtetë. Filtrat janë më në fund përgjigja e duhur që Pasqyra i jep Shtrigës këmbëngulëse! Me filtrat, tashmë, prej vitesh, Borëbardha nuk është më e bukura e Dheut!

Dhjetëra studime ndërkohë dëshmojnë për ndikimin negativ që përdorimi i filtrave dhe “shitmendja” në socialmedia ka sidomos tek më të rinjtë. Aq shumë po rëndohet gjendja, sa janë mbledhur dëshmi që tregojnë se shumë refuzojnë ta shohin veten në realitet, por vetëm përmes modifikimit të filtrave. Iluzioneve universale, të padukshme dhe të paperceptueshme, atyre që janë përshkruar me finesë e thellësi vetëm nga penat më të bukura e të afta të shkrimtarëve dhe të poetëve, në dhjetëvjeçarët e fundit iu janë shtuar këto “të trashat” të filtrave të socialmediave. Kujt nuk i ka qëlluar të mbetet i/e zhgënjyer nga dikush që ka njohur vetëm online dhe kur e ka parë më pas në realitet? Kush dëshiron të duket më i shëndoshë, me një filtër e bën; kush më i dobët, më i gjatë, më i shkurtër, më i ri, i di “marifetet” që ta arrijë ta bëjë. Janë kohë, kur njerëzit takohen në të vërtetë dhe i bëjnë komplimenta njëri-tjetrit se sa bukur dukej në foton e publikuar në aksh vend.

Edhe për ne të apasionuarit e natyrës është e njëjta gjë! Eshtë e qartë që vetëm një lule e bukur, një pemë, një majë mali, një ketër apo një zog që na del në shteg, nuk janë e gjitha e asaj që na rrethon. Secili prej nesh ka fokusin në atë që tregon dhe çdo pasion merr përmasa të hiperbolizuara në rrjet. Koshi i telefonave tanë është i mbushur me foto të papëlqyera dhe seleksionimi i një fotoje që na përfaqëson, dihet, kërkon përkushtim e “sakrificë” për këdo.

Ka situata të panumërta në publikimet e fotove në rrjetet sociale: një bashkëshort “i torturuar” nga partnerja derisa të bëjë foton e duhur, vajza që iu ftohen pjatat në restorant derisa të kenë bërë foton me buzëqeshjen më të bukur, të fejuar që nuk flasin, por vetëm shkruajnë e fotografojnë, 40, 50 apo 60 vjeçare/ë që papritur gdhihen 20 vjeç dhe të gjithë njësoj... ndërsa fëmijë që ndonjëherë e pësojnë për të bërë videon “më të guximshme” apo absurde në Tik-Tok.

Eshtë e bukur dhe e vlefshme bota e social mediave, ku mëson për vende të bukura, kur lexon shprehje zemre dhe të vërteta. Në fakt, social mediat, ashtu si dhe televizioni përmes kamerave, paraqesin një dobësi: sado filtra, sado montazhe e efekte speciale, zbehen nga një qiri i të së vërtetës. Eshtë ky qiri që luan me perceptimet dhe bën shaka të pafundme me secilin prej nesh sa herë recitojmë, përdorim filtra, e ekzagjerojmë.

Ja ky qiri magjik, i dritës që dallon, mos u fiktë kurrë në 2022! Kush ka këtë qiri, qoftë fëmijë, adoleshent, i rritur a i moshuar, do ta dijë përherë të vërtetën. Pa filtra! Eshtë qiriri i mendjes.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?