Sot, në orën 16:00, nisin 1/8 finale të Botërorit “Russia 2018” me ndeshjen Francë-Argjentinë, që përballen në stadiumin “Kazan Arena”. Franca, fituese e Kupës së Botës më 1998, vjen në përbërje me shumë yje, por fokusi kryesor është te Griezmann. Në krahun tjetër, mjafton të përmendësh Argjentina dhe prozhektorët drejtohen te Messi. Griezmann apo Messi, cili do të bëjë diferencën?
Francezi ka lënë pak gjurmë këtë Botëror, por gjithsesi, ka arritur të shënojë një gol, edhe pse me penallti, pikërisht në sfidën e parë ndaj Australisë. Në dy ndeshjet e tjera ka qenë në hije, sidomos ndaj Danimarkës, që dukej se kishte hyrë në fushë thjesht për statistikë.
E kundërta me Messin. Ishte protagonist absolute ndaj Islandës me veprimet e tij, mori penallti, por nuk arriti ta shënonte. Në sfidën ndaj Kroacisë nuk la aspak gjurmë dhe Argjentina e tij u mposht keq. Ndaj Nigerisë ai rikthehet lider, shënon një gol shumë të bukur dhe Argjentina kualifikohet.
Në mbrëmje ka një tjetër përplasje titanësh. Suarez-Cavani kundër Cristiano Ronaldos. Të tre vrasës të portave kur vjen puna për të shënuar. Uruguaj është treguar perfekt në fazën në grupe, grumbulloi 9 pikë dhe nuk pësoi gol. Suarez dhe Cavani lanë gjurmët e tyre. Vuajtën ndaj Egjiptit, por Suarez u zhbllokua ndaj Arabisë Saudite. Ndaj Rusisë shënuan të dy, edhe Suarez dhe Cavani.
Ndërsa Cristiano Ronaldo i vetëm ka shënuar më shumë se Cavani-Suarez. Plot 4 gola për yllin portugez, 3 që në start ndaj Spanjës. Shënoi edhe ndaj Marokut dhe Portugalia shkoi më e qetë në ndeshjen e fundit ndaj Iranit. Kurba e Ronaldos u ul në ndeshjen e fundit në grup, ku humbi penallti dhe për pak u ndëshkua me karton të kuq. Gjithsesi, sot është ndeshje tjetër, ku spektakli është i garantuar me kaq shumë yje në fushën e lojës.