Përballja me COVID/ Manastirliu në spitalin e Elbasanit: Gati hapja e 5 spitaleve rajonale, 600 shtretër në skenarin e parë (VIDEO)

15 Dhjetor 2020, 13:13| Përditesimi: 15 Dhjetor 2020, 15:54

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla paraditen e sotme në spitalin rajonal të Elbasanit, ku inspektuan pavionet e dedikuara COVID në përgatitje për t’u hapur sipas skenarëve të përballimit të epidemisë.

Në komunikimin me mediat atje, Manastirliu deklaroi se janë gati për t’u hapur pesë spitalet e para rajonale, kur të ezaurohen kapacitetet e 4 spitaleve COVID në Tiranë.

“Kemi investuar gjatë gjithë kësaj kohe dhe tashmë jemi gati me tre pavione të dedikuara në spitalin rajonal të Elbasanit, në funksion të mbështetjes së qytetarëve të prekur nga COVID19, të cilët do të kenë nevojë për tu trajtuar në spitalet rajonale. Janë 81 shtretër të cilët kanë të gjithë infrastrukturën e nevojshme, linjat e oksigjenit, pajisjet e nevojshme, strukturat e terapisë intensive dhe stafin e dedikuar, në funksion të standardeve që ne tashmë i kemi vendosur për spitalet tona rajonale”, tha ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se vetëm në skenarin e parë janë 600 shtretër në dispozicion të pacientëve me Covid.

“Në skenarin e parë, ashtu sikurse e kemi planifikuar do të jenë 5 spitale rajonale, të cilat do të vendosen në funksion dhe për të cilat janë investuar, janë marrë masat me të gjithë infrastrukturën e përshtatur. Mjekët, infermierët janë trajnuar. Janë 600 shtretër në 5 spitale rajonale të vendosura në dispozicion të mbështetjes të situatës dhe pacientëve me  COVID. Dhe në tërësi në 3 skenarët e paracaktuar janë 1600 shtretër së bashku me 4 spitalet COVID  për përballimin e situatës”, tha Manastirliu.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?