KORÇË - Skënderbeu dhe Teuta luajnë nesër në orën 17:00 për raundin e 13-të në Superligë. Në stadiumin e Korçës përballen dy skuadra me vetëm dy pikë diferencë, me skuadrat që vijnë pas barazimeve respektive kundër Tiranës dhe Laçit.
Përpara duelit, për mediet foli trajneri i korçarëve. Ivan Gvozdenovic tha se të tijtë nuk i frikësohen asnjë ekipi dhe në fushë futen vetëm për tri pikë.
"Me Teutën është një ndeshje e vështirë. Kemi nevojë për pikët. Mendojmë vetëm për fitore dhe pikët. Të gjithë mendojmë se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Uche dhe Shaqe do të mungojnë. Liço ishte me temperaturë dhe është në dyshim. Kemi disa opsione për formacionin. Do vendosim sot pas stërvitjes. Nikajt i kam kërkuar të mos nxitohet, sepse e kishte një rast me Tiranën që do na dërgonte në 2-0", tha Gvozdenovic.
Më pas trajneri serb u ndal edhe te lojtarët e ftuar nga Shpresat e Alban Bushit, duke thënë se të tijtë nuk i frikësohen asnjë kundërshtari dhe futen në fushë për tri pikë.
"Nikaj, Rashica dhe Pecani, do të jenë te Shpresat, kjo tregon se janë lojtarë shumë të mirë. Superiorja është shumë e vështirë. Të gjithë kemi nevojë për pikët. Të mos vazhdojmë përsëri me oshilacionet. Nuk i frikësohemi asnjë kundërshtari. Presioni është prezent, nga java e parë. Mendojmë vetëm të bëjmë maksimumin në fushë dhe një lojë të bukur si ndaj Tiranës", tregoi trajneri mes të tjerash.
Me 14 pikë Skënderbeu mban vendin e gjashtë dhe ka pesë ndeshje pa fitore, ndërsa nga ana tjetër Teuta me 12 pikë renditet në vendin e nëntë.