Vllaznia dhe Teuta luajnë nesër në "Loro Boriçi", duke nisur nga 15:00 për javën e 33-të në Superligë. Dueli është i rëndësishëm për zonën evropiane, me durrsakët që prej tre sezonesh nuk kanë marrë pikët e plota në kryeqendrën e veriut.
Në prag të ndeshjes, për mediet foli edhe Goce Sedloski. Trajneri i Vllaznisë tha se përballja me Teutën vlen zonën evropiane. Me 43 pikë, shkodranët mbajnë vendin e pestë, teksa me një pikë më pak Teuta pozicionohet e gjashta.
“Ndeshja e sezonit? Sigurisht që çdo ndeshje e mbetur tashmë deri në fund është e rëndësishme dhe kjo ndaj Teutës është njëra prej këtyre 4 përballjeve. Kuptohet që secilit prej nesh i vjen keq për këto ndeshjet e fundit ku nuk kemi marrë rezultatet e duhura.
Teuta? Por nesër mendoj se do të jetë histori tjetër. Duhet të jemi të përqendruar në maksimum për këtë ndeshje sepse e dimë rëndësinë e madhe që ka ajo, por edhe të tjerat që vinë më pas. Nuk kemi zgjedhje tjetër por vetëm t’i luajmë këto 95 minuta në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të marrim pikët.
Mungesat? Kemi probleme në mbrojtje, por është detyra jonë t’i zgjidhim këto gjëra. Mund të them se çdo gjë sa i takon kualifikimit për në Europë, është vetëm në dorën tonë. Nëse bëjmë mirë, sigurisht që mund t’ia dalim”, u shpreh Sedloski.