Egnatia dhe Vllaznia luajnë nesër në 15:00 për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.Tej rivalitetit në Superligë, me dy skuadrat që ndajnë vendin e parë dhe të dytë, tanimë rrogozhinasit dhe shkodranët do kenë një garë edhe në Kupë, për të kërkuar finalen.
Para ndeshjes së parë në "Arena Egnatia", për mediet foli trajneri i rrogozhinasve. Edlir Tetova tha se e kërkonte këtë rival për të matur forcat, teksa konfirmoi mungesën e qendërmbrojtësit Xhemajli.
"Luajmë kundër Vllaznisë ndeshjen e parë. Ndeshje me doza të bukura sepse sfidat mes Vllaznisë dhe Egnatias kanë dhuruar gjithmonë emocione. E donim Vllazninsë, pasi çdo trajner kërkon të provojë forcën e skuadrës së tij me ekipin më të mirë momentalisht.
Shkodranët kanë një sulm interesant dhe po bëjnë mirë, ndërsa kanë marrë masat e duhura. Do të provojmë mundësitë tona dhe të marrim maksimumin nga kjo sfidë. Nuk i kam kërkuar asgjë ekstra lojtarëve, veçse të shijojnë këtë sfidë, pasi të gjithë e donin këtë përballje. Mungesë të vetme kemi vetëm Xhemajlin.
Diferenca? Nuk bëhen krahasime mes ndeshjeve të kampionatit dhe Kupës. Çdo sezon ka vështirësitë e vetë dhe për ne e rëndësishme është të përmirësojmë gabimet dhe të prodhojmë lojë të bukur. Tifozët për ne janë shumë të rëndësishëm. Janë lojtari ynë kryesorë dhe besoj se ua kemi shpërblyer besimin me ndeshjet dhe futbollin tërheqës që kemi ofruar", tregoi trajneri i Egnatias.