‘Përballje mes brezash’, Leonard Bombaj me familjen në skenë: Pse solla ‘Pëllumb Kullën’ në shfaqje

4 Shkurt 2022, 15:45| Përditesimi: 4 Shkurt 2022, 15:53

  • Share

Në skenën e Teatrit Eksperimental, Leonard Bombaj së bashku me familjen, e nisin shfaqjen “Zhveshur por bashkë” me një ftesë për në një panair libri, gati të paidentifikueshëm... Në dy kafazet e mbyllura, mes librave të përzgjedhur qëndrojnë, jo rastësisht veprat e Pëllumb Kullës, të cilat në vijim ai përpiqet t’i çlirojë nga harresa.

“Për mesazhin nisem nga jeta që kam pasur në Kanada. Atje njerëzit vlerësohen sa janë gjallë ndërsa këtu, ne kemi atë dukurinë që njeriu më i famshëm në shtëpi është ai që sapo vdiq, dhe kjo më bëri mua që të nxjerr nga etja këtë admirim. Pjesa e Pëllumb Kullës që kam vendosur, për mua është një gur në institucionin e mirënjohjes, në këtë mënyrë ne furnizojmë kujtesën kombëtare”, u shpreh Bombaj për Report Tv.

Humor, videoklipe, shou dhe ndërveprim me publikun, paralelisht çifti Bobmaj shpalos dy breza: Jeta e tyre në Tiranën gjatë komunizmit, dhe kryeqytetin e tkurrur e plotë zhurmë ku rriten fëmijët e tyre. Kinemaja e vjetër, poezia dhe ekrani aq i dëshiruar i televizorit gjatë diktaturës përplasen me ndikimin e rrjeteve sociale tek adoleshentët e sotëm.

“Tjetër që më rrëmbeu është rrugëtimi i djalit tim... Ka kryqëzimet, dilemat e veta ndoshta ndonjëherë edhe pa motiv. Finalja është që, ai është i zhytyr si gjithë moshatarët e tij në botën virtuale, dhe kur shikojmë se jeta e influencurëve është e bazuar me ‘like’, ‘folloëers’, me zhveshje, kjo është ironia ose autoirona që ne vendosim në fund bashkërisht: Të zhvishemi që të shtojmë folloëersat djalit tonë”, thekson Bombaj.

Performanca e djaloshit me autizëm Jamarbër Hoxha shënon një moment reflektimi.

“Përderisa një fëmijë i spektrit autik quhet një shpirt i shpërbërë, neve artistëve kur bëjmë vepra na shpërbëhet truri e shpirti duke u futur në historitë tona. Prandaj mendova se duhet ta kishim pranë”, thotë ai.

Një lamtumirë  e fundit në pandemi, xhiruar në muret e spitalit, trondit ata që vuajtën humbjen, por njëherazi kërkon të ftojë publikun për një qasje më të ngrohtë ndaj shoqërisë dhe vetë jetës.

“Atë video të përshëndetjes që mamaja e bashkëshortes na bën, ne nuk e shikonim dot as në shtëpi ... Bashkëshortja akoma nuk përballet dot me atë video... Gjestet e saj të fundit, në atë që unë e quaj si akt sublim duken gati si një performancë”, u shpreh Bombaj.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?