Burgu i Zaharisë

Kronikë

Përcaktohet data, më 27-28 nëntor të burgosurit e Zaharisë transferohen në Shënkoll! Merr fund historia e trajtimit çnjerëzor

23 Nëntor 2021, 12:51| Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 15:22

  • Share

Tashmë është e konfirmuar edhe data. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një takim me përfaqësues të CTP dhe në prani edhe të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nënshkruan marrëveshjen ku pohuan, edhe vendimin për transferimin e të burgosurve të Zaharisë drejt blloqeve 2-3 në Shënkoll në datat 27-28 nëntor, në një mjedis më të përshtatshëm për ofrimin e kujdesit teraputik, human dhe të sigurt.

“Në kuadrin legjislativ kemi bërë çdo rregullim për adresimin e problematikës së trajtimit të personave me masë mjekësore apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Përsa i përket situatës fizike, mund të themi pa fshehur asgjë, se për shkak të tërmetit dy vjet më parë, janë në rikonstruksion dy burgje, ai i Vaqarrit dhe Lezhës si dhe dy blloqe në Shënkoll janë të mbyllura po për të njëjtin shkak. Megjithatë kemi mundur të menaxhojmë problematikën dhe të adresojmë si duhet rekomandimet e CTP për personat me masë mjekësore, apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Përgjatë këtij viti, me fondet e buxhetit të shtetit, janë rikonstruktuar blloqet 2 dhe 3 dhe janë përshtatur me kushte shumë të ndryshme për të akomoduar si një fazë të ndërmjetme personat që me masë mjekësore, apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor në burgun e Zaharisë. Dhe mund të pohoj, se kam urdhëruar transferimin e tyre brenda datave 27 dhe 28 Nëntor. Ndërkohë në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar rreth 4.5 milionë euro investime për infrastrukturën në burgje, për një trajtim sa më dinjitoz të personave që vuajnë dënimin nga drejtësia në Shqipëri”, tha Manja.

“Marreveshja që ne firmosim sot është kurorëzim i një pune të gjatë të ekipeve tona, për të garantuar mbështetjen mjekësore dhe të drejtat e personave që vuajnë dënimin dhe janë me problematika të shëndetit mendor. Në këtë fazë të planit të veprimin për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer një vepër penale, do të vijojmë të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme të asistencës mjekësore, jo vetëm për protokollet mjekësore por edhe ekzaminimet e nevojshme dhe trajtimin e duhur që do të garantojmë në këtë institucion tranzitor. Nga ana tjetër, po vlerësojmë të gjitha mundësitë nëpërmjet donatorëve, për të financuar institucionin e posaçëm, si një objektiv strategjik i planit të veprimit për përmirësimin e trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor, me masë mjekësore”, deklaroi Manastirliu.

Marrëveshja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka si objekiv përcaktimin e angazhimeve dypalëshe, nëpërmjet marrjes së masave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në adresim të rekomandimeve të mekanizmave monitoruese ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor; për të burgosurit që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor; si dhe trajtimin e personave për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm.

Ministria e Drejtësisë do të vendosë në dispozicion pajisjet që disponon me qëllim përshtatjen dhe pajisjen me aparaturat e nevojshme të dy godinave pranë Institucionit të kujdesit shëndetësor Lezhë, duke siguruar ambient fizik të përshtatshëm për ofrimin e kujdesit teraputik. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, merr përsipër ofrimin e shërbimit të specializuar psikiatrik mbështetës për stafin e Institucionit të kujdesit shëndetësor Lezhë, sipas nevojave, sigurimin e diagnostikimit, ekzaminimeve kliniko-biokimike, imazherike dhe trajtimit të specializuar për problematika të ndryshme shëndetësore të personave me çrregullime të shëndetit mendor.

Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Drejtësisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europës.

Kujtojmë se ligji detyron ministrinë e Shëndetësisë të kujdeset për këtë kategori të dënuarish ndërsa shumë shpejt një spital në Republikën e Shqipërisë do të përshtatet për të zëvendësuar Zaharinë. Burgu i Zaharisë ka qenë historikisht një njollë e zezë në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Gjithashtu ka një vendim të Gjykatës së Lartë në vend që e konsideron trajtim çnjerëzor atë që ka ndodhur në Zahari. Burgu i Zaharisë në Krujë, që ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës, pa frikë mund të konsiderohet si burgu-ferr. Jo pak, por 230 të dënuar të izoluar në këtë burg, janë lënë të mëshirë të fatit, të braktisur nga familjet, shoqëria, shteti, por edhe gjeografia.

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Leta: 24/11/2021 08:19

    Ne Zahari mire qe te semuret mendore nuk i pa kush ka sa mot; por as punonjësit e policise jo. Ne te njejtat kushte kane qene edhe punonjesit e policise qe ishin me pune brenda ne ambientet e burgut, vecse me nje orar te caktuar prej tete ose nente oresh. Imagjino te punosh ne nje ambient ku urina dhe fekalet gelojne nga brenda dhomes dhe kjo per arsye te mbikapacitetit por edhe nje mungese te WC-ve. Pra, dy WC ishin funksionale ne nje vend ku ka 90 ose 100 persona. E njejta gje edhe per punonjesit e policise; hynin ne te njejtat banjo qe jane bere per te denuarit (qe le te mos themi se si jane kushtet higjienike). A s’paska ky shtet mundesi qe t’i mundesoje te dy paleve, si te denuarve po ashtu edhe punonjesve te vet pak dinjitet. Ja pra, Zaharia eshte rasti dhe faji i ketij shteti per gjerat qe folem me siper: S’e kane vra mendjen fare per higjienen; ISHP nuk ka bere qofte edhe njehere te vetme nje kontroll ashtu siç duhet, perveçse nje kontrolli fiktiv që nuk mbahet mend se kur. Problematika me te tille persona do pare nga afer sepse i krijon preoblematika edhe te tjereve qe punojne nga afer me ta, dhe problemi me kryesor eshte higjiena vetjake. Atë vend e ka mbulu m**i, ne kuptimin e drejtperdrejte te fjales. Le te shpresojme qe atje ku do shkojne mos t’a bejne si Zaharia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?