Më 7 qershor, pranë Londrës, kampioni shqiptar dhe evropian i peshave të rënda, Nelson Hysa, do të boksojë kundër gjermanit Patrick Korte.
“Për herë të parë do të boksoj në Ipsuich, ne stadium. Biletat janë të shituara dhe do të jenë 30 mijë vetë atë ditë. Së pari përfaqësoj Shqipërinë dhe më pas Nelsonin,”-u shpreh boksieri Hysa.
Në ndeshjen e organizuar nga promotori më i suksesshëm në botë Frank Warren, boksieri shqiptar do të kërkojë të mbrojë titullin kampion evrope në federatën WBO.
“Është sfidanti për titullin kampion evrope. Kundërshtari është shumë i mirë, por jam stërvitur gjithë kësaj kohe. Uroj të marr fitoren e 23 në ndeshjen e 23,”-tha boksier.
Falë fitores së fundit në muajin mars Nelson Hysa u rendit i 11 në botë në WBO.
“Shpresoj që pas kësaj ndeshje të jem në mesin e 5 më të mirëve të botës,”-deklaroi Hysa.
Fitorja në Ipsuich do ti hapte rrugën Nelson Hysës për të realizuar ëndrrën e madhe.
“Besoj që pas kësaj ndeshje do të happen rrugë të mëdhaja për një ndeshje të trofeut të botës. Kam shumë kohë që shpresoj dhe punoj,”-u shpreh boksieri.
Në boksin profesionist Nelson Hysa ka realizuar 22 ndeshje dhe të gjitha kanë qenë fitore, ndërsa 20 prej tyre kanë ardhur me ‘nokaut’.
Komente
