Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, ka reaguar sot (13 mars) në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit dhe mungesën e saj në to.
Vajza e Azem Hajdarit, deputetit të PD i vrarë më 12 shtator 1998 para selisë blu, u është përgjigjur atyre demokratëve që e kanë pyetur pse nuk kandidoi në listat e PD, duke u shpjeguar me një postim në rrjetin social Facebook.
Ajo shprehet se nuk ndodhet në lista, për shkak se kishte kërkuar që Sali Berisha të mos ishte kandidat për kryeministër, pra të bënte një hap pas dhe partia të kishte ekip të ri.
Postimi i Rudina Hajdarit:
“Doja thjesht t’u përgjigjesha demokratëve që më kanë shkruar për të pyetur pse emri im nuk figuron në listat e PD-së.
Nuk kam kërkuar të jem pjesë e tyre këtë herë, sepse e kam shprehur qartë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ku mora pjesë, se për të fituar, PD-ja duhet të zgjedhë një ekip të ri, të pakonsumuar dhe të papërlyer për korrupsion, që të krijojë një kontrast të fortë me qeverinë e Edi Ramës.
Gjithashtu në atë mbledhje kam theksuar se kryetari aktual duhet të bënte një hap pas për t’i hapur rrugë një kandidature tjetër për kryeministër.
Meqenëse kjo nuk u mor parasysh, vendosa të mos kërkoj të jem pjesë e kësaj liste. Gjithsesi, u uroj fitore kolegëve dhe shpresoj që të arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm.
Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim dhe të mbështes Partinë Demokratike dhe demokratët, pavarësisht se nuk bie dakord me disa vendime”.
Postimi i Rudina Hajdarit në Facebook
Komente

Kjo ishte harruar. Si duket merren me politike vetem kur shikojne qe jane pjese e tepsise dhe presin me luge ne brez
PërgjigjuDhe edhe kur thote gjerat e duhura s'ja var torben njeri se eshte koti.