Politikë

Përçarja për Primaret në PD, Berisha e pranon: Ka debate, por duhet zbatuar Statuti, s’e vendos unë! Gjyqtari i ndërruar për Salianjin, militant i PS

27 Janar, 13:17| Përditesimi: 27 Janar, 15:29

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pranoi sot se ka debate të brendshme brenda selisë blu në lidhje me Primaret dhe sistemin e përzgjedhjes së emrave për kandidatë për deputetë, por e cilësoi si “debat pozitiv”, teksa ka propozime të ndryshme nga bashkëpunëtorët e tij.

Berisha u la atyre të kuptonin se ai “nuk ka gjë në dorë”, pasi Statuti i partisë është detyrim dhe vetëm Këshilli Kombëtar mund ta ndryshojë atë (referuar edhe deklaratës së Bujar Leskajt dhe deputetëve të tjerë që nuk e duan këtë sistem përzgjedhjeje).

Nën akuzë dhe i pandehur prej më shumë se një viti nga SPAK për dosjen e aferës “Partizani”, ai doli sot në një konferencë të radhës për mediat (27 Janar), ku sulmoi edhe Drejtësinë, për të cilën thotë se është e ndikuar nga kryeministri Edi Rama, referuar rastit të ndryshimit të gjyqtarit të çështjes së deputetit Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burg të formës së prerë për audio-skandalin “Babale”, për kallëzim të rremë.

Berisha sulmoi gjyqtarin e ri të caktuar, Sokol Binaj, duke e quajtur si ‘famoz’ dhe “militant i verbër i Partisë Socialiste”, teksa paralajmëroi Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën se më 11 Maj do marrin ndëshkimin e merituar.

“Akt i shëmtuar dhe kriminal i mbajtjes së njeriut të pafajshëm pas hekurave. Trupa gjykuese nuk gjente dot asnjë lloj motivi për të pranuar këtë vendim politik të shkallëve të tjera, dhe që nuk do bënin sipas dëshirës së Ramës. Ajo u ndërrua dhe u shtua famozi Sokol Binaj, një militant i verbër i Partisë Socialiste. I jap mbështetjen më të plotë Salianjit dhe solidarizimit dhe PD do bëjë gjithçka që klani mafioz Rama-Xhafaj të marrë dënimin e merituar. Nuk ka ndodhur kurrë që të ndryshohen gjykatësit në prag të procesit gjyqësor vetëm për t’i shërbyer Edi Ramës dhe pse e kërkon ai. Rama ka frikë nga krimet që ka kryer”, tha Berisha ndër të tjera.

Gjithashtu ai dënoi arrestimin e Ilir Metës si politik, duke i bërë analogji me situatën në Bjellorusi me presidentin Lukashenko.

“Krimet e tij politike do marrin ndëshkimin më të rëndë, si Lukashenko në Bjellorusi ashtu u arrestua edhe Meta në Shqipëri. Arrestim i pastër politik. Do ndëshkohet cenimi i Kodit Zgjedhor dhe ndërhyrjet për krim elektoral”, u shpreh kreu i PD.

Kurse për përçarjen e fundit brenda PD-së për Primaret ai tha:

“Rregullorja është bërë gati, diskutime do ketë. Ka 3 variante: Të jenë me Degë, Qarku dhe Kombëtare, pra një listë kombëtare. Secili variant ka argumentet dhe pluset e veta, por lista kombëtare që tingëllon bukur, ka problem se duhet të aplikohet në një sistem rajonal dhe jo kombëtar. Unë nuk anoj nga asnjë variant, do diskutohet dhe do vendoset më i arsyeshmi, rregullorja është përpunuar. Lista kombëtare është kombëtare, por derisa sistemi është rajonal je i detyruar ta zbatosh atë. Por se si do zbatohet, a do jetë i shartuar do e shohim”.

Më tej pohoi edhe dorëheqjet e kryetarëve të degëve, që duan të kandidojnë për deputetë, duke thënë se ndryshimet i bën vetëm Këshilli Kombëtar dhe jo ai, duke iu referuar pakënaqësive të deputetëve për Primaret.

“Deri tani kanë dhënë dorëheqjen 5 kryetarë degësh, por nuk është shifër përfundimtare. Përbën detyrim statutor, në mënyrë që dega dhe votimet të jenë në ekuilibër dhe distancë me kandidatët. Një kryetar dege që nuk jep dorëheqjen, nuk hyn në Primare, nuk mund të kandidoj. Ai plotëson të gjitha kriteret për kandidat dhe deputet, por ka detyrim të respektojë statutin. Nuk po ndikoj aspak, ka statut dhe duhet zbatuar. Nuk kam tagër te Statuti dhe vendosjen e bën Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve”, tha Berisha.

Ai e quajti normale debatin e brendshëm, duke pohuar se ka në tavolinë propozime të ndryshme nga bashkëpunëtorët.

“Është normale në PD që të shprehen mendime të ndryshme. Kam propozime në zyrë nga bashkëpunëtorë dhe të tjerë për listën kombëtare apo rajonale. Nuk ka asnjë orientim nga unë. Është Këshilli Kombëtar që mund të modifikojë dhe tejkalojë statutin. I them këtyre personave (i referohet Bujkar Leskajt dhe të tjerëve), se është Këshilli Kombëtar që vendos dhe do zbatohet Statuti, nëse bëhen modifikime nuk e vendos unë”, shtoi ai. 

Berisha foli edhe për sistemin zgjedhor, që e cilësoi të drejtë, por preferoi unifikimin e votës së kandidatit me partinë, të cilën sipas tij Rama nuk e lejon.

“Në këtë sistem ka difekt, garë kryekëput individuale, me të drejtë. Do ishte e drejtë të unifikohej vota e kandidatit me të partisë. Por Edi Rama që bëri gjithçka, nuk e lejoi këtë. Por Partia nuk mund të mbetet jetime”, nënvizoi kreu i selisë blu.

Dhe duke iu referuar kundërshtarit, ai tha se PS dhe Rama janë në kaos, pasi janë penduar për votën e Diasporës. Ai propozoi edhe njëherë që emigrantët të votojnë me dokumentet biometrike që posedojnë.

“PS është në kaos total dhe inkoherencë totale. PS është penduar shumë, është penduar thellësisht që lejoi votën e shqiptarëve jashtë vendit, sepse konstatoi një alergji ndaj tyre edhe më shumë. I keni parë xhirot e Taos në demonstratë. E keni parë se si i mbushin sallat me arsimtarë nga Shqipëria në piknik, apo edhe administratën për t’i mbushur sallën Spiropalit. Ata janë në çrregullim të madh, ndjejnë frikë. Është kërkesë masive e emigrantëve, që të njohin dokumentat e tyre biometrike. Të sanksionohet menjëherë njohja e dokumenteve biometrike”, u shpreh ai, teksa pohoi se mbështetës të PD po hapin zyra për të ndihmuar emigrantët në regjistrim, kurse vetë do bënte një tur në Diasporë më pas.

Berisha u shpreh edhe për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, projekt i Qeverisë “Rama”, duke e akuzuar atë si “hajdut të idesë” që kishte pasur PD që prej vitit 2012 dhe e trajtuar gjerësisht në media.

“Rama hajdut që nuk lë gjë pa vjedhur. Qytetarët e këtij vendi kopjon e hedh në kosh dhe mban origjinalin. Sa bën papagallin e Sali Berishës, mos prit 11 Majin, se do marrësh atë që meriton. Pa u skuq dhe pa u zverdh merr elementë të programit të kundërshtarit. Që nga viti 2012 e kemi pasur programin tonë”, tha Berisha për këtë temë.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?