Kosova & Rajoni

Përcillet për në banesën e fundit aktori Enver Petrovci! E bija: Ka kënduar e buzëqeshur dhe në momentet e fundit

23 Shtator, 18:15| Përditesimi: 23 Shtator, 18:32

  • Share

Në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë u mbajtën homazhe në nder të aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Enver Petrovci, i cili ndërroi jetë të hënë në moshën 71-vjeçare. Familjarë, miq, kolegë të skenës dhe të ekranit, si dhe personalitete të politikës dhe kulturës, u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit që la gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar.

***

I jepet lamtumira e fundit artistit Enver Petrovci i cili ndërroi jetë më 22 shtator, në moshën 71-vjeçare pas humbjes së betejës me sëmundjen e rëndë. Artisti nga Kosova u përcoll me duartrokitje për në banesën e fundit pas homazheve në nder të tij në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Nuk e ka fshehur dot dhimbjen e bija Vanesa Petrovci, e cila kujtoi sesi babai edhe në momentet e fundit të jetës nuk e ndali të qënurit artist.

“Këtë fjalim e pata shumë të vështirë me e shkruar se për babin nuk kanë fund fjalët e mira që kam për të. Kur jam në skenë jam mësuar gjithmonë me qenë në publikë dhe kam kërkuar sytë e tij për me më përkrah. Sot jam prapë në skenë por nuk po e gjej në mesin e publikut. Tash e disa vjet me këtë sëmundje tepër të rëndë, ai ka kalua njësoj me humor edhe kur kishte dhimbje të hatashme, me humor edhe ndërroi jetë. Në momentet e fundit ka kënduar, ka folur dhe buzëqeshur dhe na ka lehtësuar edhe neve dhimbjen”.

Personalitete të politikës, aktorë dhe figura të tjera publike e nderuan Petrovcin me kujtimet e tyre.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku vlerësoi talentin dhe veprat e aktorit dhe regjisorit të madh për të cilat tha se do të mbeten gjatë në memorien kolektive.

“Petrovci mjeshtër i madh i skenës në teatër, film, njeriu i dashur i publikut na la një zbrazëti të madhe, ashtu siç na la edhe shumë mësime të çmuara. Kjo zbrazëti nuk mbushet dot, por mësimet duhet të jetojnë. Një njeri i dashur dhe serioz, brutal në sinqeritet dhe i drejtpërdrejtë, kjo është figura e Enverit që sot, e përcjellim me pikëllim të madh. Ju shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve, miqve, kolegëve, nxënësve e publikut të tij, ata që kanë parë një herë në skenë nuk kanë mundësi ta harrojnë”.

Aktori i njohur Enver Petrovci do të kujtohet si një nga themeluesit e Teatrit Dodona dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë.

Në këtë rol, ai ndihmoi në formimin e brezave të rinj të aktorëve që sot përbëjnë shtyllat e teatrit dhe kinemasë në Kosovë.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?