Ditën e sotme u përcoll për në banesën e fundit “bilbili i këngës” durrsake, Qemal Kërtusha.
Në moshën 90-vjeçare Kërtusha ishte ende pjesë e jetës artistike të qytetit të Durrësit, duke qenë prezent në shumë zhvillime kulturore përkrah bashkëshortes së tij Mereme Kërtusha.
Figura të ndryshme si Roland Koça, aktor i trupës së estrades, Ermir Dizdari, dirigjent, Naim Nova, ish-drejtues i Pallatit të kulturës në kohën kur Kërtusha ishte pjesë e tij, Aishe Stari, aktore e trupës së estradës dhe personalitete politike si deputetja Klodiana Spahiu dhe kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, morën pjesë në homazhet e mbajtura në ambientet e Pallatit të Kulturës së qytetit të Durrësit.
Qemal Kërtusha u lind më 27 tetor të vitit 1931. Në një jetë të gjatë dhe të mbushur me vepra, Kërtusha ka qenë pjesë e lëvizjes amatore artistike të qytetit qysh në vitin 1946, në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë, në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “A.Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera. Në vitin 1962 është pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me cmimet e fituara në shtatëmbëdhjetë festivale rresht. Në vitin 1963 ai pregatit dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operan “Bijtë e Skëndërbeut”. Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku.Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit.
Sot Qemal Kërtusha u përcoll nga qytetarët dhe familjarët drejt banesës së fundit mes duartrokitjeve të cilët iu falën himnit që Kërtusha i këndoi Durrësit “Të falem i bukuri Durrës”.