Prokuroria e Milanos ka kërkuar ekstradimin e ish-sulmuesit të Milan, Robinho, pasi është dënuar nga gjykata italiane me 9 vite burg për përdhunim në grup të një shqiptareje.
Mësohet se këto akuza datojnë 9 vitë më parë, në 2013. Robinho së bashku me pesë të tjerë akuzohen se kanë përdhunuar asokohe një 23-vjeçare shqiptare e cila po festonte ditëlindjen e saj në një klub nate në Milano.
Prokuroria e Milanos i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim dhe urdhrin e arrestit ndërkombëtar për futbollistin Robinho.
Kjo kërkesë nuk ka gjasa të ketë sukses, pasi kushtetuta e Brazilit ndalon ekstradimin e shtetasve të saj. Urdhër-arresti ndërkombëtar paraqet një rrezik për Robinhon, sepse në rast të një udhëtimi jashtë vendit, mund të arrestohet në një shtet që ka marrëveshje me Italinë për ekstradimin.
Gjykata e Lartë në Itali në muajin janar konfirmoi dënimin me 9 vjet burg për ish-yllin e Milanit, pa vend për apelime të mëtejshme me fillimin e menjëhershëm të dënimit.